Një plagosje me armë zjarri është regjistruar rreth orës 19:00 të mbrëmjes në fshatin Poshnje në Urën-Vajgurore. Plagosja ndodhi në një lokal të quajtur “Kështjella”, lokal që është në pronësi të dajës së 33-vjeçarit të plagosur.

Mësohet se autori që kishte një kapuç në kokë është afruar me shpejtësi në oborrin e lokalit ku ndodhej Iljaz Ismaili. Pasi ka qëlluar disa herë drejt tij është larguar nga vendngjarja me një automjet në drejtim të Lushnjes.

I plagosuri është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, me plagë të rënda. Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se i plagosuri Iljaz Ismaili ka marrë një plumb në anën e majtë të gjoksit dhe një tjetër plumb në këmbë.

Sipas mjekëve, i plagosuri, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Berat është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tij është e rëndë.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, për të kqyrur vendin ku ndodhi plagosja dhe për të pyetur edhe dëshmitarët që ndodheshin gjatë momentit të plagosjes. Nga ana e policisë janë kqyrur edhe kamerat e sigurisë, nga ku ka rezultuar se makina e autorit është larguar në drejtim të qytetit të Lushnjes.

Ende nuk dihet identiteti i autorit të ngjarjes, ndërkohë policia po punon për identifikim dhe kapjen e tij. Mësohet se i plagosuri nuk ka pasur konflikte në Shqipëri pasi pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Angli,prej edhe nga kishte ardhur para disa ditësh.

Nuk dihet ende shkaku i plagosjes së 33-vjeçarit, që paraprakisht mendohet se mund të ketë lidhje me konflikte apo prishje pazaresh jashtë vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb