BERAT

Një atentat me armë është regjistruar pak minuta para mesnatës së djeshme në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat. Plagosja ka ndodhur në rrugën e xhamisë, në vendin e quajtur “Kinoklubi”.

24-vjeçari Tajar Fetiu ka qenë duke hyrë në këmbë në rrugicën e shtëpisë së tij, kur një person i ka shkuar me vrap nga prapa dhe i ka qëlluar 6 herë me pistoletë. 2 plumbat e pistoletës e kanë prekur të riun në bark, duke e rrëzuar përtokë. Mësohet se autori, pasi e ka goditur disa herë me armë Fetiun, është larguar nëpërmjet rrugicave të lagjes.

I plagosuri Tajar Fetiu është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, por për shkak të gjendjes së tij të rëndë ai është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pas plagosjes në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, që kanë kryer për disa orë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku kanë gjetur edhe 6 gëzhoja pistolete.

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se janë sekuestruar edhe kamerat e disa bizneseve përreth dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nuk dihen ende shkaqet e plagosjes së 24-vjeçarit,që jetonte prej shumë vitesh në Tiranë dhe kishte ardhur në qytetin e Beratit për të ajrosur shtëpinë e vjetër të familjes.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se vetë i plagosuri Tajar Fetiu jetonte prej vitesh në Londër dhe kthehej çdo vit në verë për pushime. Të njëjtat burime pohojnë se i plagosuri nuk është njohur si djalë problematik, ndërkohë që nga policia konfirmohet se nuk ka precedentë të mëparshëm penal.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb