Policia e Kurbinit ka arritur të zbulojë armën e zjarrit me të cilën një 17-vjeçar ka plagosur në këmbë një 15-vjeçar në gjimnazin e tij në Kurbin pas një sherri mes të dyve.

Bëhet me dije se arma e përdorur nga adoleshenti, i cili u kap disa orë më parë, ishte hedhur nga ky i fundit në një parcelë toke në tentativë për ta fshehur.

Sakaq, materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

Kurbin / Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit e përdorur nga autori në ngjarjen e ndodhur në Laç ku mbeti i plagosur një 15-vjeçar.

Në vijim të veprimeve të pandërprera hetimore dhe kontrolleve të shtuara me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur rreth orës 12:20 ku jashtë rrethimit të gjimnazit, shtetasi A. Gj. ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. Rr., u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit e përdorur nga autori, të cilën e kishte hedhur për ta fshehur në një parcelë toke, në afërsi të një ure në Sanxhak.

Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i armës së zjarrit si dhe disa fishekëve luftarakë të cilët iu gjetën në dhomën e tij gjatë kontrollit të banesës.

Shtetasi A. Gj. u arrestua në flagrancë për veprat penale ” Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake”

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: