TIRANË- Një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Tiranë, 37-vjeçari Marjan Levanti ka rrëfyer arsyet e plagosjes me thikë të ish-vjehrrinjve dhe ish-kunatit të tij.

Në dëshminë e zbardhur nga gazetarja Dorjana Bezat për BalkanWeb, mësohet se Levanti ka fajësuar 3 të afërmit e gruas për divorcin me Elenën. Ai ka thënë se kanë qenë ata që e kanë ndarë për një gabim të bërë në vitin 2013 dhe se i vdekur kthehet në burg.

“Ata me ndanë nga gruaja. Kemi qenë të martuar që prej 2008 kemi 2 fëmijë. Për një gabim që kam bërë në 2013 ata me quajnë ‘kriminel’ dhe ‘burgaxhi’. Ia mbushen mendjen Elenës të më braktisë”, ka thënë 37-vjeçari në polici.

E duket se padia për zgjidhje martese që Elena Kocaqi ka bërë ndaj të shoqit Marjan Levanti më 1 dhjetor të këtij viti ka qenë edhe shkaku i ngjarjes së djeshme.

37-vjeçari ka disa muaj që ka dalë nga burgu ku vuajti dënimin për plagosje të rëndë me dashje të një 18-vjeçari, ngjarje që dyshohet se çoi edhe në vrasjen e vëllait të tij ish-boksier. Marjan Levanti u arrestua në 2013 por pas daljes nga burgu e shoqja nuk e ka takuar dhe nuk ka lejuar të takojë as 2 fëmijët. Pas kërkesës për divorc ai ka shkuar tek Ferit Kocaqi, i vjehrri dhe ka kërkuar të takojë të shoqen. Por ata e kanë ndaluar. Më pas në konflikt e sipër i ka plagosur me thikë.

Dje kur ka qenë në ndjekje të policisë, 37-vjeçari ka thënë “vetëm i vdekur kthehem në burg” dhe ndaj ka tentuar të hidhet nga pallati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb