Policia e Elbasanit ka vendosur në pranga autorin e dyshuar e sherrit në Elbasan, ku mbeti i lënduar 41-vjeçari A. Q.

Burimet zyrtare të policisë, bëjnë me dije se bënë të mundur arrestimin e B. K., 24 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. I plagosuri sipas të njëjtave burime, është dërguar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku po merr ndihmë të specializuar mjekësore.

Njoftimi i Policisë:

Elbasan

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i konfliktit fizik, me pasojë plagosjen e rëndë, të ndodhur në një lokal në Elbasan.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Vullnetari”, në një lokal, ku pas një konflikti fizik të çastit, mbeti i dëmtuar shtetasi A.Q., 41 vjeç, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje.

Falë reagimit në kohë, kontrolleve intensive, krehjes së zonës dhe marrjes së informacioneve në rrugë operative, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B.K., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Ky shtetas për motive të dobëta, gjatë një konflikti fizik të çastit, rrëzoi në shkallë shtetasin A.Q., duke i shkaktuar plagë të rënda, i cili ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb