Një ngjarje e rëndë ka ndodhur 3 ditë më parë në një nga lokalet e Bllokut, ku një 40-vjeçar është masakruar me thikë duke u qëlluar 27 herë nga dy persona të paidentifikuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të drekës të së shtunës, ku 40-vjeçari E. Dorzi është qëlluar disa herë me thikë, ndërsa ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje kritike, ngjarje për të cilën nuk pati asnjë njoftim nga policia.

Ndërkohë në kërkim për plagosjen janë shpallur Maren Hoxha dhe Heridon Hasa.

Pas publikimit të lajmit në News24 dhe BalkanWeb, policia ka reaguar duke thënë se “ngjarja nuk është fshehur, por për arsye hetimi, me qëllim identifikimin e autorëve, nuk është bërë publike”.

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetas të plagosur me mjet prerës, në një lokal, në rrugën “Vaso Pasha”, ju sqarojmë se ngjarja nuk është fshehur, por për arsye hetimi, me qëllim identifikimin e autorëve, nuk është bërë publike. Në lidhje me këtë ngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është punuar intensivisht për identifikimin e autorëve. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shpallur në kërkim shtetasit M. H., 27 vjeç dhe E. H., 27 vjeç, pasi kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spitalin, nën kujdesin e mjekëve.

Ndërsa në lidhje me arrestimin e shtetasit I. H., ju informojnë se lajmi është pasqyruar në web-in zyrtar të Policisë së Shtetit, në raportin e datës 20 janar 2023, si më poshtë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin I. H., 61 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë një interviste për një televizion, ka paralajmëruar se do të hakmerret për prishjen e banesës së tij, në rrugën “5 Maji”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, deklaron policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb