Drejtori i Policisë së qarkut Fier Alfred Çepe dhe drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës Elion Mustafa kanë folur pas plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës Fred Kokoneshi dhe shoferit të tij Gazmir Bullari.

Çepe deklaroi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Lushnjës është ngritur grupi hetimor, me ekspertë në vendngjarje, ku në të gjitha pikat ku ne dyshojmë se ka prova materiale janë drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurori i gatshëm

“Sot rreth orës 09:30 kemi marrë njoftim se sot në qytetin e Divjakës ka ndodhur një ngjarje ku është plagosur me mjet prerës thikë, kryetari i Bashkisë së Fredi Kokoneshi dhe drejtuesi i mjetit të tij Gazmir Bullari. Nga ana e shërbimeve të policisë menjëherë është organizuar puna, ku është bërë arrestimi në flagrancë i autorit të kësaj ngjarjeje, shtetasit O.XH., i datëlindjes 1976, banues në Divjakë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Lushnjës është ngritur grupi hetimor, me ekspertë në vendngjarje, ku në të gjitha pikat ku ne dyshojmë se ka prova materiale janë drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurori i gatshëm. Nga ana jonë do të punohet për të sqaruar të gjitha rrethanat, është ngritur grupi hetimor në drejtimin e prokurorisë. Kur të dalin dhe rrethanat dhe motivet, do të japim dhe informim të mëtejshëm”, tha drejtori i Policisë së qarkut Fier.

Ndërkohë prokurori Mustafa tha se hetimet po vijojnë dhe ngjarja po ndiqet në dinamikë.

“Sikurse e deklaroi dhe drejtori i Policisë së qarkut, është organizuar grupi hetimor menjëherë, janë kryer veprimet hetimore, ngjarja po ndiqet në dinamikë.

Do njoftoheni në vijimësi me rezultatet e hetimit. Jemi vetëm në fillim të hetimeve, do njoftoheni për çdo të dhënë që do dalë nga hetimet”, u shpreh Mustafa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb