Në Shqipëri e Kosovë ka plot shembuj të njerëzve dhe familjeve që jetojnë në skajet më të egra të varfërisë. Shpesh Balkanweb ka sjellë raste të tilla, duke sensibilizuar qytetarët të shumtë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë risjellë buzëqeshjen tek këto familje.

Së fundmi në rrjetet sociale është shpërndarë videoja e një 70-vjeçari nga Kosova që shpreh mllef ndaj klasës drejtuese në vend ndërsa tregon për gjendjen e tij të mjeruar. Fazlli Deliu nga Mitrovica tregon se ka bërë 30 vjet burg politik por sot ka veç një jorgan. Ai i bën apel qytetarëve ta ndihmojnë pasi nuk ka besim tek shteti. “Unë sivjet do vdes nëse nuk më ndihmon kush!”, thotë ai.

“Në tërë pushtetin hajdutë. Të tërë Mustafët, Thaçët. Ata në pushtet janë tradhtarë. Tradhtarë të Kombit, e kanë shitur kombin. Ata janë të pavarur të vrasin, të vjedhin, çfarë të duan të vjedhin nuk i dënon kush. Nuk ka kush të ma japë një automatik, një granatë, jo vezë po ua kisha hedhur granatën aty. Çfarë dua unë? 30 vjet burg politik kam bërë dhe sot kam një jorgan për të kaluar dimrin dhe një sobë pa dru, i burgosur politik. As ma blejnë një sobë me dru për t’u ngrohur. I lutem rinisë, popullit, kush është shpirtmirë dikush një batanije, dikush një jorgan apo një jastëk, dikush drutë të më kishin shpëtuar nga ky dimër. Unë i kërkoj popullit se këtyre shkive nuk u kërkoj, se këta më kanë dhënë dru, më ka rrahur kryetari i Mitrovicës dhe prej këtyre s’ka gjë. 30 vjet burg politik kam bërë dhe akoma s’kam parë ditë të bardhë e jetë të mirë. Gazetarët nuk i lënë të vijnë. Të vijë një gazetar e të shikojë ku jetoj unë, gjithë populli më kishte ndihmuar. Unë sivjet do vdes nëse nuk më ndihmon kush. Rrobat me dorë i laj, 70 vjeç jam. 24 euro më shkojnë për bukë, 6 euro sapunë për të larë rrobat, 30 euro për qumësht. Një kuti qumësht, ha dy herë, në darkë çaj. Gjithë natën i uritur jam. Edhe në burg keq, por kam patur gjellë. Më keq se këto 15 vjet që kam kaluar në Mitrovicë s’kam kaluar kund. Unë nuk gënjej. Unë marr pjesë në demonstrata por nuk thyej. Unë i kërkoj popullit, kush ka mundësi një jorgan, një jastëk, nuk dua para”, apelon i moshuari.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: