NGA DORJANA BEZAT
Përgjegjësinë për të parandaluar kultivimin e kanabisit në vend nuk do ta ketë vetëm policia dhe Ministria e Brendshme, por çdo ministri. Sipas planit kombëtar për ndalimin e kultivimit të kanabisit 2017-2020, është ngritur një Task forcë e cila do të ndjekë punën hap pas hapi për parandalimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Task forca drejtohet nga zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ka anëtarë nga çdo ministri si edhe ndërkombëtarë të cilët do të angazhohen për parandalimin e këtij fenomeni. Ministria e Shëndetësisë duhet të identifikojë përdoruesit e drogës për t’ia kaluar emrat policisë. Ministria e Bujqësisë do të ketë detyra të rrisë ndihmat në fara dhe bagëti që fermerët të largohen nga kultivimi i kanabisit.

Detyra të reja do të kenë edhe Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale në lidhje me të rinjtë duke i edukuar ata të qëndrojnë larg drogës.

Nga ana e saj Policia, për të parandaluar kultivimin e kanabisit që prej 23 shkurtit policia ka nisur një operacion masiv në të gjithë vendin duke kontrolluar banesa të braktisura, sera dhe çdo vend tjetër të përshtatshëm për kultivim. Operacioni vijon nga toka dhe nga ajri në të gjitha qarqet. Kontrollet janë intensifikuar më shumë tek vendet ku 10 vitet e fundit janë evidentuar bimë narkotike të kultivuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb