TIRANE- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, u shpreh se, realizimi me sukses i planeve zhvillimore vendore, mbështetur edhe në bashkëbisedimin me opinionin publik do t’i hapë rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, duke mos lejuar më, që ky zhvillim, të jetë i pabazuar në instrumente vendore.

E pranishme në takimin që u zhvillua të martën në Tiranë, me Kryetarët dhe Drejtorët e Urbanistikës të 26 bashkive të përzgjedhura për t’u asistuar nga Qeveria, me asistencë financiare dhe teknike në hartimin dhe zbatimin e planeve të tyre vendore, Ministrja Gjermeni u ndal në rëndësinë dhe rolin e bashkëbisedimit me publikun në zbatimin e planeve të përgjithshme vendore, si forma më e mirë që i vjen në shërbim jo vetem komunitetit, por progresit territorial në tërësi.

Deri tani kemi hartuar 31 plane vendore, të cilat priten të gjejnë përmes një diskutimi të thelluar mbështetjen e publikut, si angazhim në realizimin me sukses të tyre, duke shënuar një moment të rëndësishëm në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të territorit në vend, -tha Gjermeni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb