Me projektin e Belind Këlliçit, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë bujqësinë dhe fermerët në zonat rurale.

Ky është angazhimi tjetër i kandidatit të opozitës, që do të ndikojë në zbutjen e kostos së jetesës për qytetarët e Tiranës.

Gjatë takimit që zhvilloi me banorë të Petrelës, Belind Këlliçi shpalosi në mënyrë të detajuar programin për bujqësinë, që përfshin subvencione deri në 10 mijë euro, mbështetje me naftë për punimin e tokës, ndërtim tregjesh apo dhe kredi, me interesa që mbulohen nga Bashkia, për fermerët e Tiranës që investojnë në bujqësi.

“Kemi menduar një paketë mbështetëse për të gjithë fermerët. 10 mijë euro mbështetje në bazë materiale për çdo fermer që kërkon të nisë një biznes të ri në fshat, në blegtori, në bujqësi. Në frutikulturë, në agrokulturë, në bletari në agroturizëm për të prodhuar produkte ushqimore për Tiranën, që do të thotë: 6-8 lopë race, 50-60 dele të rracës, 1 mijë pula apo zogj për mish, 100 mijë rasate trofte për rezervuar, vlerën e imputeve dhe fidanëve për të mbjellë për sipërfaqe më të mëdha se 0.1 hektarë, me 10 ha, kufij të sipërm, ne do të subvencionojmë deri në 2500 euro në vit. Subvencion 100% me karburant për punimin e sipërfaqeve deri në 1 hektarë por jo më të vogla se 0.1 hektarë. Mbështetje për produktet “Made In Tirana”, të prodhuara në Tiranë. Subvencionim deri në 70% të kostove të produktit për të gjitha prodhimet blegtorale, bulmetore “Made in Tirana” që kanë destinacion tregun e Tiranës. Subvencionim deri në 50% të kostove të produktit për të gjitha prodhimet në frutikulturë, akuakulturë “Made in Tirana” që kanë destinacion tregun e Tiranës. Ngritjen e të paktën 15 tregjeve të gjelbra në Tiranë, sipas standardeve më të mira të sigurisë ushqimore. Zero taksa bashkiake për të gjithë fermerët që do shesin prodhimet “Made in Tirana” në tregjet e gjelbra të bashkisë Tiranë. Për ata që do certifikojnë organikisht prodhimet e tyre do të mbulojmë shpenzimet deri në 50%. Për fermerët që do të marrin hua në bankë për investime në agrikulturë apo agroturizëm në infrastrukturë, për kredi deri në 30 mijë euro do të japim kredi me interes zero sepse bashkia do të mbulojë interesin e kredisë pranë bankës përkatëse ku do të aplikohet për kredi”-u shpreh Belind Këlliçi para banorëve të Petrelës.

Ai tregoi edhe kostot që ka ky plan, që do t’ju vijë në ndihmë fermerëve të 140 fshatrave në kryeqytet.

“Ajo çka unë u premtoj, është kjo: këto katër premtime që janë të prekshme, janë konkrete, për buxhetin e bashkisë Tiranë, nuk kushtojnë më shumë se 4 apo 5% e buxhetit, për t’iu përgjigjur 140 fshatrave të Tiranës. është vetëm çështje vullneti dhe prioriteti”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Transporti falas nuk do të jetë një shërbim vetëm për banorët e qytetit, por edhe për ata të zonave rurale.
“Transportin publik ju do ta keni mbas 14 majit falas. Nuk është normale që për fëmijët tuaj, ju të paguani lekë. Ishim në Bërzhitë, ankesa kryesore ishte se paguanin çdo ditë për fëmijët biletën e autobusit, me shku e me ardh prej shkolle, nuk i del llogaria njerëzve”-deklaroi kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës.

I pranishëm në takim, kandidati i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak, Endrit Brahimllari tha se plani i Belind Këlliçit për Tiranën, i shërben qytetarit.

“Tirana është sot bashkia që vidhet më shumë nga kryetari i saj. E kanë të pamundur qytetarët e Tiranës, Petrelës, të përballojnë këtë kosto të lartë të jetesës. Ndaj plani i Belindit për Tiranën është plani që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve të Tiranës”, tha Brahimllari.

Teksa mirëpritën projektin për bujqësinë dhe zonat rurale, banorët e Petrelës treguan sesi bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj i ka diskriminuar gjatë këtyre viteve, ndërsa tentojnë të shesin prodhimet e tyre në kryeqytet ata përndiqen nga punonjësit e policisë bashkiake.

“Unë shkoj mëngjes për mëngjes, dhe del polici i bashkisë dhe më thotë: e di çfarë të bëj mo? Ta var paguren në qafë! Është buka e kalamanit o shoku i thashë, po ik! 45 vjet ishim të përndjekur, tani po na vënë litarin në fyt, po na marrin fare, nuk është përndjekje kjo. Me ardhjen e këtyre horrave në pushtet, i prishën të gjithë planet këta, pavarësisht se qytetarët kanë paguar lekët për planin rregullues. Vijnë sekserët, se kanë halle njerëzit, do ndërtojnë do shesin, por toka këtu është e gjelbër, kushton 5 lekë, se po të ishte zonë ndërtimi kushton më shumë”-u shprehën qytetarët.

Shqetësimeve të qytetarëve dhe fermerëve të Petrelës, Belind Këlliçi u përgjigj se do t’u japë zgjidhje pas 14 majit. Sipas tij, policia bashkiake që aktualisht ndjek shembullin e Erion Veliajt, pas 14 majit nuk do të jetë më e tillë.

“Ai polici bashkiak kur ka mbi krye kryetarin e bashkisë, që e ka bandit, që nga mëngjesi deri në darkë vjedh qytetarët, vjedh taksat, është i lidhur me mafian, dhe ai polici bashkiak thotë pse të mos vjedh dhe unë, se këtu kështu qenka. Dhe ai polici bashkiak nuk është marrë aty me të ndihmu ty, me patrullu zonën, me të ndihmu, me të dhënë informacion, me të garantu siguri fizike, me pa diçka që nuk shkon, me qenë afër me komunitetin, me raport, por është vënë aty me të vënë gjobë, me të vënë gjobë, me të ra në qafë. Me mua kjo nuk ndodh më, nuk ndodh më”, tha Belind Këlliçi.

Më herët, ai zhvilloi takime edhe në zonën e Krrabës, Farkës, Baldushkut, ku banorët denoncuan bashkinë  e Tiranës që në 8 vjet nuk ka kryer asnjë investim.

“Ujin unë e kam marr në pyll në fakt, e kam marrë 3 mijë metra më lart më zorre. U bën 30 vjet që unë nuk e mbaj mend të kem marrë njëherë ndihma. 8 vjet, asnjë lopat edhe me mbush një gropë”,-u shprehën disa qytetarë.

Edhe në këto zona rurale, Belind Këlliçi prezantoi planin fiskal, që parashikon reduktimin apo heqjen e disa taksave vendore, të cilat do ndihmojnë biznesin e vogël dhe fermerët në zonat rurale të Tiranës.

Ai tha se Erjon Veliaj mashtroi me qendrën kulturore të Baldushkut. Veliaj e ka paraqitur këtë si një sukses dhe investim të rëndësishëm. Këlliçi dëshmoi sot nga afër, se kemi të bëjmë me një rrënoje dhe rreth 530 milionë të hedhura aty, janë abuzuar, janë shpërdoruar.

Ja denoncimi i Këlliçit:
Përshëndetje të gjithë qytetarëve.
Jam këtu ku kam qenë në datë 1 Nëntor të vitit 2020 ku kam denoncuar farsën e Qendrës Kulturore të Baldushkut.

Duke qenë se sot është dita e 1 Prillit edhe jemi duke çjerrë maskën e propagandës kam ardhur që ta mbyll ditën me një urim të dytë për Kryebashkiakun e Tiranës, Veliajn nga Baldushku.

Çfarë do ju tregoj është diçka shumë interesante është pikërisht që kur vjen nga rruga në ballore e sheh që është gjithçka e lyer bukur, fasada është e pastër, e rregullt, por ajo çka ndodh është realiteti.

Është fasada tjetër, ana tjetër ku nuk duket, ku nuk sheh gjë qytetari i zakonshëm, të lutem kape pak këtë.

  • foto galeri

Se ka tre vjet që e kam denoncuar dhe vazhdon kështu qendra e Baldushkut, ja kjo është fytyra e vërtetë e Erion Veliajt. Të lutem, shiheni pak, dhe ta garantoj që edhe nga mbrapa është po e njëjta situatë.

Atëherë, me zor po gjenim hyrjen por që të shihni vetë kush është brenda në Qendrën e Kulturës së Baldushkut që ka investuar kryebashkiaku në Tiranë, hajdeni shiheni brenda vetë se si duket, me sytë tuaj.

Kjo është Qendra Kulturore e Baldushkut, 3 vite pasi e kam denoncuar në fakt që nga 1 Nëntor i 2020. Hajdeni këtu, këtu janë hedhur 40 milionë lekë për rikonstruksion dhe 530 milionë lekë në total si investim.

Ky është. Kjo është, që ta shihni, fytyra e vërtetë e investimeve edhe këto janë standardet.

Hajdeni se kemi katin e dytë, urdhëro të lutem kjo është e gjithë qendra ku janë hedhur 530 milionë lekë të taksapaguesve dhe nuk ka lekë për studentët, për pensionistët, nuk ka lekë për familjet në nevojë, nuk ka lekë për autobusin. Dhe thonë “ku do i gjen Belind Këlliçi lekët?” këtu janë lekët vetëm këtu mund të kursehen 530 milionë lekë, vetëm këtu, këtu janë lekët.

Nuk do vidhet më, kjo do të ndodhë!

Këtu janë të gjithë lekët e taksapaguesve të cilët të rrinë të qetë se pas 14 Majit nuk do të abuzohet më me paratë e tyre me taksat që japin, pasi nuk do të ketë më maskarada të tilla, vjedhje të tilla dhe abuzime të tilla. Të dashur qytetarë që na ndiqni kam qenë para 3 vitesh këtu në 1 Nëntor 2020 që e kam denoncuar këtë aferë korruptive, këtë rast korruptiv dhe siç e shihni asgjë nuk ka ndodhur dhe nga Qendra Kulturore e rikonstruktuar e Baldushkut sot ju uroj për herë të dytë gëzuar 1 Prillin Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Gëzuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: