Presidenti amerikan, Donald Trump do të nënshkrujë projektligjin dypartiak për të shmangur mbylljen e qeverisë amerikane dhe më pas do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të financuar projektin e tij për murin me Meksikën, ka thënë republikani, Mitch McConnell.

Me këtë hap, Trump mund të shfrytëzojë fondet ushtarake për murin SHBA-Meksikë. Duke folur para Senatit, lideri i shumicës në këtë dhomë, McConnell, ka njoftuar për planin e Trumpit, pak para se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për projektligjin e krijuar nga kompromisi i të dyja palëve.

Legjislacioni në fjalë, të cilin pritet ta nënshkruajë Trump, është arritur pas kompromisit mes republikanëve dhe demokratëve dhe përfshin 1.3 miliard dollarë për sigurinë kufitare, duke përfshirë barrierat fizike, mirëpo nuk financon premtimin e presidentit amerikan për murin.

“Presidenti është duke realizuar sërish premtimin për ndërtimin e murit, mbrojtjen e kufijve dhe sigurimit të shtetit tonë të mrekullueshëm”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Ajo ka thënë se Trump do të marrë “një tjetër vendim ekzekutiv, duke përfshirë emergjencën kombëtare, për t’u siguruar se do të ndalohet kriza humanitare dhe ajo e sigurisë në kufi”. Demokratët kanë kundërshtuar ashpër idenë e presidentit amerikan për ndërtimin e murit, duke rezultuar me mbylljen më të gjatë të Qeverisë amerikane një muaj më parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb