Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Baverman, gjatë vizitës në Kigali, nga ku mbikëqyri ndërtesat e reja që mund të strehojnë refugjatët, e ka cilësuar si ‘bekim’ depërtimin për në Ruanda të emigrantëve ilegal që kanë hyrë në Britani.

“Unë do ta quaja një bekim ardhjen këtu. Kam takuar refugjatë nga disa vende këtu, të cilët janë jashtëzakonisht mirënjohës për atë që u ka siguruar Ruanda. Atyre u janë mundësuar siguria, shtëpitë dhe arsimimi”, tha ajo.

Po ashtu, Baverman ka quajtur si ‘snobizëm dhe negativitet të pajustifikuar’ kritikët e politikës së saj.

Asnjë emigrant nuk është dërguar në Ruandë që kur marrëveshja u nënshkrua vitin e kaluar nga paraardhësi i saj, Priti Patel.

Sipas mediave britanike, Baverman po planifikon që në verë të nisë avionin e parë me emigrantë nga Britania për në Ruandë.

Kujtojmë që në fillim të muajit, kryeministri britanik Rishi Sunak nënshkroi një marrëveshje me presidentin Emmanuel Macron për ndalimin e refugjatëve të paligjshëm që futen me varka të vogla përmes Francës dhe Kanalit La Mansh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb