TIRANË

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi ditën e sotme programin e PD për rininë, ku u ndal kryesisht te problematikat kryesore të kësaj shtrese të shoqërisë.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se sfida më e madhe është të ndryshohet mënyra se si të rinjtë shqiptarë shohin të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e vendit.

“Plani ynë është i zbatueshëm që në nisje të mandatit tonë, sepse qëllimi i parë i tij është që Shqipëria të begatojë. Do t’u japim më shumë hapësirë sipërmarrësve, punonjësve me anë të rritjen të pagës minimale, industrisë tonë të turizmit, të prodhimit dhe të shërbimeve duke krijuar plot mundësi të reja për të vizituar vendin tonë të mrekullueshëm”, tha kryedemokrati mes të tjerash.

Pjesë nga fjala e Bashës:
Të dashur qytetarë shqiptarë!
Të dashur të reja dhe të rinj kudo që jeni!
Shqipëria që tani ka hedhur hapat e parë drejt fitores.
Pas 8 vitesh mungese totale të një debati serioz mbi problemet që shqetësojnë vendin tonë dhe shoqërinë tonë, pas 8 vitesh të mbushura me premtime të pambajtura, unë jam sot përpara jush për të sjellë programin më të detajuar, më realist, më të zbatueshëm që kemi pasur ndonjëherë, programin që do të ndryshojë jetën për çdo shqiptarë.
Më duhet t’ju them se saktësisht që ashtu siç e parashikonim, sapo ne nisëm prezantimin e programit tonë, Rama rinisi avazin e premtimet boshe dhe pa asnjë bazë.

Por shqiptarët nuk mashtrohen më.
Problemi i kryeministrit në ikje, nuk janë idetë, por fakti se ai e ka dëshmuar tashmë se nuk i bëri dot realitet ato për 8 vite me radhë. Ai abuzoi me besimin e shqiptarëve dhe dikush që s’mban qoftë edhe një premtim të vetëm, e humb të drejtën për të vazhduar me të tjera mashtrime.
Një plan serioz, kërkon një përqasje serioze. Ndaj kemi punuar me muaj të tërë për secilin prej planeve tona. Kemi punuar vonë me netë të tëra, teksa Rama bënte qyfyre dhe propagandë me këpucë të grisura apo me projekte që mbetën vetëm në letër.
Plani ynë është i zbatueshëm që në nisje të mandatit tonë, sepse qëllimi i parë i tij është që Shqipëria të begatojë.
Interesi ynë, i të gjithëve ne, është që Shqipëria të zhvillohet. Është e vetmja rrugë për të ndërtuar Shqipërinë që ëndërrojmë.
Ne të gjithë ëndërrojmë për një Shqipëri më të mirë.
Ne të gjithë duam që Shqipëria të fitojë!
Dhe me planin tonë Shqipëria do të fitojë!
Do të krijojmë vende të reja pune dhe do të ulim kostot e jetës.
Do të kujdesemi për ata që kanë më shumë nevojë.
Do të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit mbi arsimin, duke u dhënë brezave të rinj mjetet që u duhen për të arritur suksesin.
Do t’u japim më shumë hapësirë sipërmarrësve, punonjësve me anë të rritjen të pagës minimale, industrisë tonë të turizmit, të prodhimit dhe të shërbimeve duke krijuar plot mundësi të reja për të vizituar vendin tonë të mrekullueshëm.
Ne do ta bëjmë që Shqipërinë të fitojë!

Të dashur miqtë,
As edhe një ndryshim nuk do të bëhet pa menduar për ata që i kemi më të shtrenjtë: dritën e syve, fëmijët tanë, rininë tonë!
Ata janë e ardhmja jonë, që fatkeqësisht tani nuk shohin të ardhme në vendin e tyre.
Nuk ka sfidë më të madhe, se sa të ndryshosh mënyrën se si të rinjtë shqiptarë shohin të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e vendit tonë.
Mos më keqkuptoni për këtë, unë e di që ata e duan me shpirt vendin e tyre. Ata janë krenarë që janë shqiptarë. Dhe nuk është Shqipëria, por është kjo qeverisje që i ka lënë mbrapa!
Gjatë 8 viteve të fundit 3 në çdo 5 të rinj kanë qenë të papunë dhe gjatë pandemisë patëm dhe një tjetër rritje prej 20% mes papunësisë të të rinjve.
Kur nuk ke punë, kur nuk sheh të ardhme, kur rri në shtëpi dhe nuk je i aftë të sigurosh as të ardhura për veten, le pastaj për familjen tënde, sigurisht që nuk beson më në vendin tënd, në shoqërinë tënde dhe s’të mbetet tjetër por të ikësh.
Ne po humbim një brez të tërë shqiptarësh.
Rreth 1,6 milionë shqiptarë nuk jetojnë më në Shqipëri!
1,6 milionë!
Shumë prej tyre shkëlqejnë në botë.
Pse të mos shkëlqejnë këtu, në vendin e tyre?
Mbi 50% e shqiptarëve të moshës 18-40 vjeç duan të largohen nga vendi!
Kjo katastrofë është edhe më e madhe, kur pyet moshat 19 deri 27 vjeç, 74% e tyre duan të emigrojnë!
94% e shqiptarëve që studiojnë jashtë, nuk duan të kthehen më.
Ky është një brez i tërë i humbur.
Braktisen prindërit, braktisen vëllezërit dhe motrat, familjet shkatërrohen, sepse njerëzit me të drejtë nisen në kërkim të një të ardhme më të mirë.
Kjo është katastrofë kombëtare.

Kemi diskutuar dhe debatuar me ekspertë. Kam takuar mijëra të rinj anembanë Shqipërisë, kam kaluar orë e ditë të tëra duke folur me shqiptarët e diasporës, i kam dëgjuar, u kam bërë pyetje, kemi mbajtur shënim përgjigjet e tyre, jemi ulur më pas dhe bashkërisht kemi hartuar një plan.
Një plan të sigurt dhe konkret që do të shpëtojë një brez të tërë të të rinjve shqiptarë.
Boll me premtime boshe.
Boll me plane boshe.
Ne angazhohemi të sjellim ndryshimin që i duhet Shqipërisë.
Dhe ju garantoj se do ta bëjmë realitet.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të fitojë, të rinjtë tanë do të fitojnë!
Të dashur bashkëqytetarë,
Për shkak të kësaj situate të paprecedentë, qeverisja e Partisë Demokratike që pas 25 prillit, do të përqendrohet më së pari dhe mbi të gjitha tek brezi i të rinjve tanë, që përbën dhe 1/4 e popullsisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb