Dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin në një nga lokalet e qytetit të Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në lokalin “Bar Kristi” në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku mësohet se ka nisur sherri mes tyre. Më pas, ata kanë dalë jashtë dhe 55-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në ajër, duke tmerruar banorët e lagjes.

Pas kësaj, 55-vjeçari Ilir Mamurani dhe 25-vjeçari Emiljano Zoga, të cilët u konfliktuan me njëri-tjetrin, u larguan nga vendngjarja. Në vendin e ngjarjen kanë mbërritur forca të shumta policie, që po kryejnë këqyrjen e zonës, ku edhe po kërkohen gëzhojat. Po kështu, policia është duke pyetur edhe dëshmitarë në vendngjarje, për të kuptuar dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet e saj.

Paraprakisht dyshohet se shkak për konfliktin është bërë parkimi i mjeteve, ndërkohë që policia po punon për kapjen e autorit.

NJOFTIMI I POLICISË
Qëlloi me armë zjarri në ajër, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, Policia identifikon autorin dhe është vënë në ndjekje të tij.

Në lagjen “30-vjetori”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ndërmjet shtetasve Ilir Mamurani, 55 vjeç dhe Emiljano Zoga, 25 vjeç, shtetasi Ilir Mamurani ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht krehjen e zonës, me qëllim kapjen e 55-vjeçarit. Ndërkaq, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat, shtetasi Emiljano Zoga, për t’u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e konfliktit.

Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: