Nga: JETON SELIMI*
Nuk përdor diplomacinë Mishel Platini për skandalin që ka përfshirë FIFA-n. Shefi i UEFA-s del drejt e në temë në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, duke kërkuar largimin e Sep Blater nga kreu i FIFA-s, madje ai shkon edhe më tej duke adresuar akuza të rënda ndaj selisë me qendër në Cyrih. “Jam i neveritur. Ajo që ndodhi në FIFA është e tepërt. Njerëzit nuk e duan më presidentin Blater. Unë kam qenë i qartë dhe i drejtpërdrejtë me të. E pashë në sy dhe i kërkova të jepte dorëheqjen, madje këtë gjë e bëra në një tjetër bisedë pak çaste më vonë. Ai m’u përgjigj se e kupton situatën, por tashmë është shumë vonë. Unë i thashë se për të mirën e imazhit të tij, duhet të bëjë një hap pas. E di cila është strategjia e tij. Të bindë anëtarët e kongresit për ta votuar duke u bazuar te demokracia e brendshme, por për mendimin tim, në këtë rast humbasim të gjithë”. Por pavarësisht kritikave në drejtim të Blaterit, Platini e pranon se ka një kufi që nuk duhet kaluar në gjithë këtë situatë. “Ky problem nuk duhet të prekë Kupën e Botës. Çfarë është vendosur më parë mbetet në fuqi dhe nuk duhet të ndryshojë. Vendet për 2018-ën dhe 2022-shin janë caktuar tashmë”.
Evropa
Blateri refuzon të tërhiqet nga kandidatura për kreun e FIFA-s, edhe pas përballjes me Mishel Platininë, i cili ia ka kërkuar hapur këtë gjë. Për këtë arsye, tashmë UEFA ka zgjedhur rrugën tjetër: Të premten, në ditën e zgjedhjeve, gjithë federatat evropiane do të votojnë kundër Blaterit, që do të thotë se votat do të shkojnë për princin Ali Husein. Platini del hapur në krah të rivalit të Blaterit: “Nuk më vjen keq që nuk jam kandidat, sepse nuk kam dashur të luftoj kundër një miku si Blater dhe më pëlqen ajo që bëj tek UEFA. Bilanci i Blaterit është si shumë të tjerë: Vitet më të mira kanë qenë ato të mandatit të parë. U bëj një thirrje të gjitha federatave botërore: Votoni princin Ali Husein. Europa do ta bëjë. Ka shumë interesa që kanë tronditur botën e futbollit, por FIFA nuk meriton të trajtohet kështu, sepse është nëna e futbollit”. Ndërkaq, Platini nuk përjashton hapa radikalë në rast se Blateri fiton: “Do të jemi të hapur për çdo opsion, edhe atë të tërheqjes nga Kupa e Botës të gjithë federatave evropiane, por edhe të shkëputjes së UEFA-s nga FIFA”, ka thënë Platini.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: