Ish-presidenti i UEFA-s dhe futbollisti i Juventusit, Mishel Platini, në një intervistë për francezen “L’Equipe”, ka folur për transferimin e Ronaldo-s te ‘zonja e vjetër’ dhe jo vetëm. 63-vjeçari i cili e konsideron lëvizjen e portugezit si të pakuptimtë, komenton edhe përdorimin e “VAR”, teknologjisë të cilës ai ka qenë gjithmonë kundër.

Ronaldo te Juventus- “Më është dukur shumë e çuditshme që një lojtar në moshën 33- vjeçare, edhe pse quhet Cristiano Ronaldo, të largohet nga Reali i Madridit, për më shumë pasi ka fituar tre ‘Champions League’ radhazi dhe për të provuar një aventurë te re.

Edhe mua, në moshën 32-vjeçare, më kërkuan shumë klube, por isha i lodhur nga futbolli dhe vendosa të tërhiqesha. Ronaldo nuk është dhe kjo duket qartë, por, ajo që unë dua të kuptoj nga gjithë kjo lëvizje është: ka qenë Juventusi që e ka kontaktuar lojtarin apo ka qenë menaxheri i tij, Jorge Mendes që ka kontaktuar Juventusin? Gjithsesi, duke parë edhe shifrat që kanë lëvizur, nuk arrij kurrsesi që ta kuptoj këtë operacion”.

Për përdorimin e “VAR”- “Më thoni pak, cila ishte drejtësia që vendosi teknologjia në Botëror, sepse unë nuk e pashë. Ato video në shumicën e rasteve ishin të sforcuara. Nuk solli drejtësi dhe këtë e konfirmoi finalja. ‘VAR’-i u përdor dhe për mua, goli i parë francez, i ardhur pas akordimit të një goditjeje dënimi, si rrjedhojë e një faulli që nuk ekzistonte nga ana e kroatëve. Pastaj, në golin e dytë, ishte regjia që lajmëron arbitrin, i cili shndërrohet në një marionetë. Fundja, edhe në atë rast, ishte dhe nuk ishte prekje me dorë e kroatëve…

Në shpejtësi reale, por edhe me moviolën ‘normale’, nuk duhej akorduar penallti, por me lenten e supermoviolës, që e zgjat deri në 15 sekonda një episod 1- sekondësh, atëherë po, arbitri sheh diçka dhe vërshëllen penalltinë. E gjithë Kroacia proteston për prekje të pavullnetshme, ndërsa e gjithë Franca për prekje të vullnetshme. Sërish dy opinione të ndara… Ku është drejtësia e ‘VAR’-it këtu?! Më vjen keq, por vramë arbitrimin, sepse edhe me teknologjinë, mbetet sërish çështje interpretimi”, përfundoi Platini.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb