Të sfidosh Boca Juniors, River Plate apo skuadra të tjera argjentinase, nuk është e lehtë. Por puna është shpërblyer më në fund.

Pas 116 vitesh histori dhe një pritjeje shumë të gjatë, Club Atlético Colón triumfoi për herë të parë në Kupën e Ligës. Gjatë natës së kaluar, skuadra në fjalë ngriti titullin e parë drejt qiellit.

Fitorja vendimtare 3-0 ndaj Racing Avellaneda, me golat e “heronjve” Rodrigo Aliendro, Christian Bernardi dhe Alexis Castro, zyrtarizoi suksesin e shumëpritur mbi një shekull. Ndeshja kundër Racing ishte finalja e turneut, pasi Colón kishte mundur Independiente në gjysmëfinale.

Fitorja e parë në Argjentinë edhe për trajnerin shumë të ri, 42-vjeçarin Eduardo Domínguez, pas Superkupës në Uruguaj me Club Nacional, dy vite më parë. Një natë historike për Club Atlético Colón, i cili tani do të dëshirojë ta konfirmojë veten në fazën e dytë të kampionatit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb