Vllaznia edhe njëherë tjetër dhuron spektakël, duke treguar futbollin më të bukur aktualisht në Shqipëri. Shkodranët fituan 6-3 në “Loro Boriçi” ndaj Dinamos, duke marrë vendin e dytë në renditje. Blutë e kryeqytetit pësojnë humbjen e parë.

Në minutën e pestë pllakosi heshtja në Shkodër, pasi Ibraimi tundi rrjetën pas një aksion të gjatë, që gjen të përgjumur mbrojtjen vendase. Diagne barazoi shifrat në 16’, pasi tund rrjetën pas një goditje nga këndi, duke u gjendur i zbuluar në shtyllën e dytë.

Në 35’ vjen përmbysja e shkodranëve. Latifi nis një aksion të shpejtë me një pasim perfekt për Gjurgjeviç. Ky i fundit nuk gabon duke kaluar sferën mbi Harizajn për të kaluar në avantazh Vllazninë.

Në pjesën e dytë, në 55’, aksion model i Vllaznisë, i nisur nga Hakaj. Latifi shpërthen në të majtë dhe nis pasimin perfekt për Aralican, i cili nuk gabon para Harizajt, 3-1. Por në 67’, shkurton diferencën Dinamo me penalltinë e Ibraimit, i cili nuk gabon para Zogoviç.

Në 70’ kthehet përsëri diferenca e dy golave për Vllazninë, Aralica e ka të thjeshtë të shënojë mes mbrojtjes kundërshtare me një gjuajtje me kokë. Në 72’, rihapet edhe një herë ndeshja me harkimin e Bardhit për Skukën, i cili dërgon sferën në rrjetë për 4-3.

Gjithsesi, në 83’ vjen goli spektakolar i Fjoart Jonuzit. Pas një goditje nga këndi, topi shkon te mesfushori i cili nga jashtë zonës lëshon një predhë të pakapshme. Nuk do të përfundonte këtu pasi Vllaznia shënon edhe të gjashtin me Mustedanagic në limitet e ndeshje. Mbyllet 6-3 për Vllazninë, që tregon se ka sulmin më të mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb