Juristi Gent Ibrahimi, u betua sot përpara presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme, duke u bërë anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, e cila në këtë mënyrë plotësohet me të gjithë anëtarët e saj. Për disa vite ajo nuk ushtroi dot funksionet duke qenë se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha.

Dekreti për emërimin e tij u firmos nga Kreu i Shtetit, javën e shkuar, në limitn e fundit kohor të parashikuar. Zoti Ibrahimi, ka qenë drejtuesi i Parë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për 5 vite, ndërsa për një kohë të gatë ka qenë drejtues i një prej organizatave (Think tank) të njohura që merren me çështjet e Drejtësisë, Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL).

Ai u rendit i pari në listën e hartuar nga Këshilli i Emërimeve, në përfundim të një procesi të tejzgjatur verifikimesh, për gati 10 muaj. Në garë ishte gjithashtu dhe zonja Arta Marku, ish Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, e po ashtu dhe zonja Arta Vorpsi. Emri i saj u bë veçanërisht i njohur në vitin 2019, gjatë përplasjes mes presidentit të atëhershëm Ilir Meta dhe parlamentit. Ndërsa zoti Meta nuk zgjodhi një emër nga lista dëruar nga KED, brenda afatit 30 ditor, parlamenti e konsideroi të emëruar zonjën Vorpsi, e cila zgjodhi të bënte betimin pranë një noteri. Pasi parlamenti emëroi dy anëtarë të Gjykatës, zoti Meta, përzgjodhi një emër tjetër nga e njëjta listë, atë të Marsida Xhaferllarit, duke lënë jashtë zonjën Vorpsi./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: