TIRANË- Pas informacioneve se dhjetëra mbështetës të PD që kanë marrë pjesë dje në mitingun për hapjen e fushatës elektorale i janë drejtuar spitalit për shkak të problemeve shëndetësore vjen edhe konfirmimi zyrtar nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së diel deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë.

Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike.

Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve.

Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavijonin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme.
Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb