9 pikë diferencë me ndjekësit pas 13 javësh kampionat janë shifra që të bëjnë të ëndërrosh. Në Shkodër askush nuk fshihet, titullin nuk është më një mision i pamundur por një objektiv konkret. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia thyen dhe të pamposhturit, Teutën, këtë e bëri me një futboll të bukur, dominues dhe me një lojë sulmuese. Shkodranët kanë gjithçka duhet këtë sezon për të rikthyer më në fund titullin në qytetin që jeton me futbollin.

Kjo ishte një sfidë delikate për të besuarit e trajnerit Brdariç, por ekipi nuk ndryshoj filozofi dhe pas disa minutave konfuze mori shpejt kontrollin e lojës. Hoxhaj rrotullohet mirë në zonë, arrin të gjej kuadratin por Frashri reagon në shtyllën e parë duke devijuar në këndore. Në të 18-tën ishte radha e Dilaver i cili shërbehet mirë në qendër, gjuan menjëherë por Frashri është i vëmendshëm duke kontrolluar saktë. Teuta reagoi me Devi Bregun në minutën e 23-të me një kundërsulm të shpejtë por goditja e sulmuesit ishte qendrore. Adili provoi të pamundurën me një goditje nga distanca, një predhe e vërtetë që vendosi në vështirësi portierin Frashri. Vllaznia ushtroi presion të vazhdueshëm në zonën e Teutës por ishin të pafat si në minutën e 36-të ku goditja e Dilaver përfundoi në shtyllën pingule. Situata nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, Vllaznia ishte më kërkuese, në të 52-tën provoi me Krymin nga jashtë zonës. Teuta çahet në qendër me një aksion shumë të bukur të Vllaznisë, i finalizuar me shumë klas nga Ardit Hoxhaj që kaloi shkodranët në avantazh në minutën e 58-të. Nga “engjëll” në “djall”, pak minuta më pas Hoxhaj shkaktoi një faull duke u ndëshkuar drejtë për drejtë me karton të kuq.

Pavarësisht se me një lojtarë më pak, Vllaznia nuk stonoi, kishte kontrollin e lojës duke mos rrezikuar asgjë, në fund festa ishte e gjitha për kuqeblutë që shijon këtë trepikësh që përforcon edhe më shumë pozitat e tyre si kryesues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: