TIRANE – Në sheshin përpara Piramidës në Tiranë u zhvillua sot një protestë në mbështetje të ish-liderit të Vetëvendosje-s Albin Kurti, i cili u arrestua tre ditë më parë në Prishtinë. Më pankarta “Po Albinit, jo Zajednicës”, protestuesit kërkuan lirimin e ish-liderit të VV-së.

Përfaqësuesi i “Vetëvendosje-s në Shqipëri, Elvis Hoxha tha se sot po punohet për të ndarë 7 milionë shqiptarët në zona të vogla, përkundër serbëve që jetojnë të bashkuar. Hoxha tha se marrëveshja e kufirit me Malin e Zi dhe Bashkësia e Komunave Serbe apo “Zajednica” nuk mund të pranohen.

“Ne kemi vetëm kriminelë në rendin kombëtar dhe ata janë vënë për ta zhdukur kombin e Shqipërisë. Evropa e bashkuar nuk bëhet dot pa shqiptarët e bashkuar. Në qoftë se ajo vetë nuk shtyn Shqipërinë të bashkohet. Europa vetë është në krizë dhe ne vazhdojmë të bëjmë të njëjtin gabim që mbajmë perandoritë në krizë kur po bien.”-tha Hoxha.

Pas protestës, qeverisë së Kosovës do t’i dërgohet edhe një apel nga Shqipëria për të liruar Albin Kurtin, për të anuluar marrëveshjet dhe për të rikthyer demokracinë në shtetin e Kosovës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb