NGA DR. NDRIÇIM MEHMETI *

Në ditën e protestës së opozitës, kryeministri iu përgjigj me një gjest sipas tij domethënës, njerëzve që kishin dalë në shesh, duke i treguar… faqe tyre dhe botës përmes syve të ambasadorëve, një prej tuneleve të ndërtuar nga diktatura. Nëse e zgjodhi këtë ditë, enkas për karshillëk ndaj opozitës, (gjë që ishte e dukshme) është pjesë e një tjetër analize. Ajo që bën përshtypje më shumë, kryeministri si në çdo fjalë të tij, në muajt e fundit, na surprizoi me diçka të re. “Do të hapim të gjitha bunkerët në Shqipëri, që janë varre të hapura” dhe “bashkë me to edhe dosjet”. Nënteksti dhe theksi ishte më se i qartë: “Neve që na akuzojnë si forcë politike se jemi pasardhësit e Partisë së Punës dhe mbështetësit e nostalgjikëve të Enverit, jemi gati t’i bëjmë këtij të fundit dhe diktaturës komuniste gjyqin publik”. Pra, dënojmë Enverin dhe nxjerrim në shesh spiunët.
A është kjo një zgjidhje e imponuar, e sforcuar, apo dëshirë e brendshme e kryeministrit?
E imponuar, e sforcuar po, por jo dëshirë e brendshme e kryeministrit. Prej fillimit të 2014, e deri në festimet e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, shalli i kuq në qafën e bëshme të deputetëve të maxhorancës dhe fotoja e Enver ishin ritet të pandashme të festimeve. Kur ambasadori amerikan tërhoqi vëmendjen me një deklaratë të fortë për figurën e Hoxhës, atëherë maxhoranca u dha urdhër mbështetësve të saj të rrinë urtë, pasi nuk kishin ndërmend të fëlliqeshin dy herë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta qeveritarë, që mburren se i hedhin prangat pa një pa dy, të gjithë atyre që nuk paguanin energjinë, apo tentonin të pengonin policinë t’u shembte banesat, strukeshin si zuzarë në shallin e kuq dhe bënin sikur nuk i shikonin fotot e diktatorit rreth tyre. Një verbëri sa qesharake dhe idioteske, shoqëronte qeveritarë e politikanë, prej ministrit të Drejtësisë, kreut të parlamentit e deri te shefi i qeverisë. Ky i fundit u tregua më i rafinuar se dy të parët që thoshin se nuk pamë gjë. Rama tentoi t’i vinte në sedër, duke i quajtur diversantë e të paftuar njerëzit që mbanin foton e Hoxhës. Por tundimit për të ruajtur të paprekur Enver Hoxhën nuk iu shmangën dot. Në studio të ndryshme lajtmotivi ishte se “dënojmë Enverin, por e kemi komandant të luftës dhe duhet t’i japim ca merita”, “u vranë ca njerëz në luftë me njëri- tjetrin, por nuk është ndonjë gjë e madhe se e rëndësishme është që dërmuam gjermanët”, “fajin për përplasjen e shqiptarëve me shqiptarët nuk e kishte Enveri e partizanët, por ballistët e kolaboracionistët”. Dhe këto deklarata nuk vijnë nga goja e askujt tjetër, veçse njerëzve që e njohin dhe dinë ta bëjnë më mirë historinë. Zëvendësministra të Mbrojtjes, Transportit, nënkryetarë komisionesh të edukimit, bujqësisë etj., pra njerëz që e njohin mirë historinë dhe kanë kontribute për të. Qershia mbi tortë është prania pa kundërshtar i kryetarit të Komisionit për Rishkrimin e Historisë, i cili është kryetar i një partie politike, por jo i politizuar në histori! Madje, eksponentit të qeverisë nuk i bën syri tërr për të ndarë popullsinë edhe sot në ne dhe ata, që është versioni modern i parullës: “O me ne o me Ballin, rrugë të mesme s’ka”. Pra, nuk ka tallje më të madhe se të distancohesh nga diktatori, ta quash komandant të luftës, kur s’ka drejtuar asnjë formacion ushtarak, të tallesh me ata që nuk ishin komunistë dhe fundi i historisë: Enveri është burrë i mirë, por duhet njohur më mirë. Manipulimi i historisë, fakteve dhe mungesa e sinqeritetit janë më të dhimbshme se vetë mohimi i një krimi. A nuk na manipuloi kryeministri me hapjen e bunkerit? Sendet dhe objektet e tij janë origjinale apo të sajuara e të marra aty këtu për t’ju përshtatur për ceremonisë zyrtare? Të gjithë e dinë se ai bunker u bastit tërësisht në ngjarjet e vitit 1997. Në rast se ato nuk janë pjesë integrale e atij objekti, vlen më mirë shprehja e popullit “më mirë djepi bosh sesa shejtani brenda”.
A ishte një veprim i sforcuar?
Natyrisht që po. Në mungesë të shpjegimeve, për vendnumëronë e ekonomisë së vendit, rritjes së taksave, pamundësisë së mbajtjes së premtimeve elektorale, rritjes së pakënaqësisë së popullatës, dy janë mundësitë pragmatiste: rikthim i vëmendjes tek e kaluara dhe tonet nacionalistëve. Që të dyja kryeministri i shfrytëzoi sa mundi. Pa asnjë farë modestie, mbërriti prej Beogradit e deri në Tiranë dhe bombardoi televizione e rrjete sociale, me parullat: “se u kishte treguar vendin serbëve”, “bëri atë që nuk e kishte bërë njeri”, “ngriti dronin e dytë pas të vëllait”, “kryeministri dinjitoz i të gjitha kohërave”, e të tilla panegjirizma, që në një vend tjetër do t’i bënte njerëzit për të vjellë sa herë dëgjoheshin. Por në fakt, popullit duhet t’ia kujtosh këto gjëra. Nuk është çudi që të marrësh meritat e patriotit sot po the fjala vjen, se Mitrovica e Veriut, duhet të vihet nën administrimin e qeverisë Kosovës, pasi është pjesë e territorit të kësaj të fundit. Njerëzit edhe mund ta dinë këtë fakt, edhe mund të mos e dinë. Por ama ta thuash këtë, është trimëri. E njëjta gjë është edhe të thuash se Kosova e pavarur është realitet. Kur kjo histori u fashit si flaka e kashtës, atëherë duhej stisur një tjetër gjë se puna nuk priste. Ambasadori amerikan kishte dalë hapur kundër fotove të Hoxhës, opozita solli kokëçarje me punën e protestës, prandaj zgjedhja duhet të ishte e gjetur për të vrarë me një gur shumë zogj: I bëjmë qejfin Amerikës dhe Evropës, qetësojmë nostalgjikët, duke i dhënë më shumë se një foto, një bunker me shumë, hyrje dalje, dhoma, WC, pallto re kapele, foto të Enverit që i mbante sipër kokës së tij, pra shkurt, një vend pelegrinazhi për diktaturën që kishte munguar prej kohësh. Varri gjysmë i hapur u zbulua tërësisht dhe tani gjithkush mund të shikonte atë që i mungonte prej kohësh. Madje, në këtë hapje veç forcave të armatosura që ishin thirrur për të respektuar edhe bunkerin e komandantit të ushtrisë pas 1945 ishin marrë edhe adoleshentët. Këto të fundit, jo për politikë. Por kryeministri i mori për simbolikë, por edhe që t’i ruante nga opozita që mund t’i bënte pjesë të mitingut të saj. Në fund të fundit pushim ishin, tek të bënin ndonjë paudhësi, më mirë te bunkeri, vend më të sigurt nuk kishin. Kishte edhe një detaj, që nuk mund të mungonte edhe në këtë bunker si në rastet e tjera të restaurimit. Arkitekti i oborrit kryeministror duhet t’i shpjegonte popullit se nuk kemi të bëjmë vetëm një bunker, por edhe një monument të gjallë arkitekture. Shkurt hesapi, kishim njerëz të zgjuar për ditë këqija, që do të shpëtonin vendin dhe udhëheqjen me këtë bunker.
Hapja e “varrit të hapur” sipas kryeministrit, largoi vëmendjen nga problemet e hapura që la buxheti. Tani media ka një ushqim, opinioni gjithashtu. Le të merren pak ditë me të. Pastaj do të hapim shtëpinë me gjethe, më pas pallatin e drunjtë e kështu me radhë. Kryeministrit që i qan zemra për të lënë pas të shkuarën dhe ta parë atë në sy, me të mirat dhe të këqijat e saj ka lënë pa sqaruar jo pak gjëra. Veç nismës për varret e hapura, kush do të merret me njerëzit që nuk kanë varre vetëm se diktatura, nuk i dëshironte të ishin gjallë. Po me ata që kundërshtuan regjimin që në ditët e para dhe nuk ju gjendet nami e nishani. Zhdukja e atyre pak të dhënave që dëshmonin për këta njerëz. Konkretisht: A është e gatshme qeveria të kërkojë dhe gjejë eshtrat e firmëtarit të Pavarësisë Lef Nosi dhe kolegëve të tij të pushkatuar me urdhër të Hoxhës dhe dorën e sejmenit të tij Xoxe? A është e gatshme qeveria të ruajë dhe jo të shikojë si shkrumbohet shtëpia e të parës grua antikomuniste Musine Kokalari? A është e gatshme qeveria, që të respektojë kontributin e Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Abaz Ermenjit e të tjerëve, duke i ftuar të jenë pjesë e festimeve të çlirimit të vendit? Pse qeveria dhe parlamenti që ishte dy hapa larg nuk mori mundimin të kujdesej e ruante “Post-bllok”, një bunker i vogël, me një simbolikë edhe më të madhe se bunkeri i Dajtit? Këto veprime qeveria nuk i bën dot, parlamenti jo e jo. Puna më e dashur për ta do jetë “zbulimi i varreve të hapura” me shumë kuriozitet dhe pompozitet. Në fund të fundit, Lubonja dhe të tjerët nuk duhet të futin hundët në punët e qeverisë me veprat e tyre antikomuniste. Për shtëpitë muze “që digjen, nuk kemi fonde, nëse nuk janë tanët”, ndërsa për ata që u vranë, nuk bënë gjë tjetër dhe nuk kanë pse të bëjnë edhe këta që sapo erdhën. Ekonomia mund të shkojë në djall, çmimet le të rriten, por asgjë nuk do të ndalë qeverinë që të harxhojë sa të dojë, vetëm “që të zbulojë të kaluarën dhe të shtojmë atraksionet turistike”. Dosjet? Një tjetër formë e maskarallëkut dhe talljes e propagandës së pushtetit. Me votat që ka maxhoranca le të votojë ligjin për lustracionin dhe ta votojë, duke i hapur rrugë procesit që çon realisht në një paqe sociale. A janë të gatshëm të vjetrit që kanë ardhur nga zyrat e komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv të pranojnë vullnetin e “të rinjve modernë tek e majta”? Të presim e të shohim.
Unë jam i qartë si kristali, në mosbesimin tim të thellë ndaj: Ramës që në dhjetorin e ftohtë të 1990-ës bridhte mbledhje më mbledhje e tribunë, më tribunë, i veshur me një treçerekëshe të zezë, duke u deklaruar antikomunist e kundërshtar i hapur me luftën partizane, Ramës që tani me kollare dhe sfondin e mbushur me ngjyrat e ylberit, thotë “që shyqyr që kishim partizanët që na bashkuan me Evropën”, të njëjtit Ramë, tani kryeministër, që në bunker kërkon hapjen e dosjeve.

(o.d/Gazeta Shqiptare/BalanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb