Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvend. Ishte kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili në nisje të seancës kërkoi që të futen në rend dite edhe dy projektligje, ato për ushqimin dhe shërbimet veterinare.

Por, një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se nuk mund të njoftohet në nisje të seancës një ndryshim i tillë. Sipas tij, këto janë pr.ligje të rëndësishme dhe voluminoze, ndaj dhe deputetët duan kohë të përgatiten për të diskutuar rreth tyre.

Pjesë nga diskutimet:
Balla: Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kemi rënë dakord për përfshirjen në kalendar të dy pr.ligjeve, atë për ushqimin dhe shërbimet veterinare.
Sipas rregullores, ato janë shqyrtuar në komisione. Kërkoj që këto dy pr.ligje të përfshihen në rendin e ditës së kësaj seance, për shkak të vlerës dhe rëndësisë së tyre. Komisionet e kanë përfunduar diskutimin mbi këto dy projektligje, kështu që mendoj t’i përfshijmë sot në rend dite.

Alibeaj: Është e mira që pas këtij propozimi të ketë dhe një tjetër. Bëtë gabim që e kaluat menjëherë në votim. Lëvizje të tilla të befasishme, futje të pr/ligjeve voluminoze, të rëndësishme, në orën 10:00, kur ka filluar seanca, nuk i bën nder seancës. Është e udhës që këto të shtyhen për seancën tjetër. Është normale, e logjikshme, që secili nga deputetët të dijë rendin e ditës. Si ta diskutojmë, kur ju e fusni sot në diskutim? Merrni masa të rregulloni këtë incident të vogël.

Balla: Ndryshimi i rendit të ditës është një procedurë e parashikuar në rregulloren e Kuvendit. I falënderoj deputetët, që në komisione kanë zhvilluar diskutime të gjerësishme dhe të gjithë kanë marrë pjesë. Arsyeja përse unë e kam kërkuar këtë lidhet me kohën dhe nevojën që këto dy pr.ligje të marrin rrugën për të hyrë në fuqi. Jo sot, por asnjëherë, qoftë unë, apo mazhoranca, nuk do të votojmë diçka në seancë që bie ndesh me rregulloren. Neni 31 thotë qartë që rendi i ditës mund të ndryshohet në nisje të seancës. Të jeni i sigurt z. Alibeaj që unë nuk do të vijë kurrë në Kuvend me një kërkesë që nuk është e parashikuar në rregullore. Mendoj që ne kemi kohën e nevojshme që këto dy pika të jenë në fund të rendit të ditës. Deputetët janë tepër të përgatitur për të zhvilluar diskutime në seancë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb