Është shoqëruar me debate të forta diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, mbi situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Mjekja Liljana Ramasaço, e cila është njëkohësisht dhe eksperte e PD për Shëndetësinë, ka akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masat e nevojshme në kohën e duhur për parandalimin e përhapjes së infeksionit, duke mos bërë testime.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Gjergji Koja, i cili është shprehur se edhe Gjermania apo vende te tjera të fuqishme, që bënin me mijëra testime në javë, përfunduan në “lock-down”.

Pjesë nga debati në studio:
Ramasaço: Këta nuk kanë prioritet që të sëmurët mos t’i mbajnë nëpër ambulanca me orë të tëra, por kanë prioritet që pasi të shërohen t’i çojnë nëpër spitale. Ndërkohë që ata që kurohen në shtëpi janë me qindra, mjekimin e blejnë vetë, mjeku i ndjek privatisht dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre fatkeqësisht kanë humbur jetën. Jo më larg që edhe sot kanë dalë fakte të tjera, një ditë pasi ne nxorëm shifrat e Shkodrës, ku viktimat ishin më shumë seç raportohen nga MSH, sot kanë dalë për Bashkinë e Tiranës, me më shumë viktima nga sa raportohen.

Balla: Për çfarë shërbejnë testimet, kur ne kemi transmetim komunitar?
Ramasaço i drejtohet Kojës: Ti zotëri nuk ke testuar, nuk e di sa është shkalla dhe përhapja e infeksionit.
Koja: Po flet pa logjikë fare.
Ramasaço: Ti s’ke përgjigje për këtë. Pse ndërhyn?
Koja: Nëse ju nuk e dini strategjinë, nuk është faji im. Nuk e dini ju strategjinë e testimeve, se unë e di shumë mirë.
Ramasaço: Po flasim për një numër në rritje të infektuarësh, që normalisht shoqërohet me rritjen e të shtruarve në spital. Nëse unë jam një person kontakti dhe nuk testohem, por jam asimptomatike, unë do të infektoj 10 persona të tjerë, se do të shkoj në punë. Ndaj duhet testimi, për të ulur shifrat e pandemisë. 100 mijë testime të shpejta nuk janë një shifër për t’u mburrur. Ne kemi thënë që minimumi numri i testeve duhet të shkojë 8 mijë, kur ke 800 të infektuar. Për këtë duhet të fillojë dhe mjeku i familjes.

Koja: Epo c’të them unë kur ju nuk jeni të apdeituar. Ti s’je në sistem fare, ke ikur nga sistemi. Ti po gënjen.
Ramasaço: Të lutem mos më fyej, kujt i thuaj gënjen, po ç’e për të fyer….
Koja: Sot ka nisur testimi i shpejtë.
Ramasaço: Nesër do të nisë.
Koja: Mos bëj më zhurmuesen, se paske zë metalik. Sot kanë nisur testet e shpejta. Kjo përralla e testimeve ‘të testojmë sa më shumë’, do me thënë se edhe Gjermania që bënte përpara 3 mijë testime në javë, apo edhe shtete të tjera të fuqishme, në lock-down përfunduan. Testimet dhe vdekjet janë kthyer në kauzë për opozitën. Testimet do të vazhdojnë të rriten, këtë e them fuqishëm. Testet e shpejta janë një lëvizje brilante, sepse në 5 ditët e para kanë një efektivitet 100% për diagnostikim. Vënë në qendër mjekun e familjes dhe çdo ditë do të jenë pacientët përkatës që suspendohen nga mjekët e familjes dhe çohen për të bërë testet e shpejta pa radhë dhe me përgjigje të shpejtë. Duan apo s’duan ta pranojnë këtë, kjo është situata dhe ky është realiteti. Kjo është një ndihmë shumë e madhe për spitalet, sepse realisht tregon kush duhet çuar në spital dhe kush duhet të vazhdojë trajtimin në shtëpi. Sigurisht që nëse do të ishte bërë, më herët do të ishte më mirë për tërë botën. Nëse Kina do ta kishte raportuar më herët virusin, do të ishin bërë shumë gjëra. Më herët do të ishin bërë shumë gjëra më mirë.

Ramasaço: Pas 9 muajsh, më në fund e kuptuat se është i nevojshëm testimi.
Koja: Të lutem nuk jam këtu për debat me ju, por për të sqaruar shqiptarët. Situata e testimeve është kjo që është, kjo punë ka marrë fund, normal që është shtuar muaj pas muaji. Testimet e shpejta do të japin një ndihmë shumë të madhe, dhe padyshim do të ndryshojë në mënyrë radikale situata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb