Ushtria amerikane dhe aleatët e saj kanë shpëtuar një polic afgan të profilit të lartë, i cili po gjurmohej nga talibanët për shkak të viteve të tij të punës me ushtrinë amerikane. Mohammad Khalid Wardak dhe familja e tij u transportuan të mërkurën në një vend të pa identifikuar. Oficeri ishte fshehur me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij në Kabul, duke lëvizur nga një vend në tjetrin pa patur mundësi të shkonte në aeroportin e kontrolluar nga amerikanët për shkak se rrugët drejt tij janë nën kontrollin e talibanëve.

Pas të paktën katër përpjekjeve në katër ditë, familja e tij u shpëtua me një helikopter të mërkurën në mbrëmje në një operacion dramatik shpëtimi, të quajtur “Operacioni Mbajtja e Premtimit”, të kryer në errësirë nga ushtria amerikane dhe aleatët e saj, tha Robert McCreary, ish-punonjës i Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin George W. Bush, i cili tani punon me forcat speciale në Afganistan.

Shpëtimi i oficerit Khalid, pasoi përpjekjet e furishme nga mbështetësit e tij brenda ushtrisë amerikane, të cilët thonë se ai është një aleatë dhe vëlla lufte që ka ndihmuar në shpëtimin e shumë jetëve dhe do të ndeshej me vdekje të sigurt nëse kapej nga talibanët. Ata kërkuan ndihmën e Kongresit, Departamentin të Mbrojtjes dhe atij të Shtetit për të realizuar operacionet për shpëtimin e tij.

Ai ishte i njohur për shkak të pozicionit të tij si shef policie në provincën e Helmandit dhe për paraqitjet televizive, përfshirë atë në të cilën ai sfidoi talibanët për luftë. Familja e tij ka aplikuar për të marrë statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara, bazuar në frikën e persekutimit, por nuk është e qartë se sa i gjatë do të jetë procesi për miratimin e kërkesës së tij./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb