Zv. kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, gjatë Forumit të 7-ë të Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit, ka folur për atë çka po ndodh në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe te rruga e Shqipërisë drejt BE. Ai tha se lufta ka sjellë një panoramë që nuk shihej në Evropë prej dekadash.

Ndërkohë ai u ndal dhe te Shqipëria dhe tha se vendi i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Sipas Ahmetajt, negociatat po mbahen peng për shkaqe qesharake.


“Lufta është në Ukrainë por ajo ndihet në të gjithë botën. Unë do të thoja se është një botë përpara 24 shkurtit dhe një tjetër pas asaj. Themelet e asaj për të cilën ne luftuam për 77 vite janë tronditur sërish në një kohë kur askush s’e priste, mendonte për të dhe askush s’do e imagjinonte dimensionin dhe tronditjen e demokracisë, shtetit ligjor. Solidariteti është kryefjala jo vetëm për Ukrainën, por të gjitha vendet që për shkak të tronditjes së madhe të themeleve po vuajnë me shumë. Vende si Shqipëria apo Ballkani Perëndimor vuajnë më shumë, për shkak të valës, krizës. Kur themi se duhet të përgatitemi si vend kandidat, duhet të mësojmë çdo ditë dhe na mësohet në mënyrë stabilizuese sa i përket zgjerimit, por edhe të ruajmë identitetin tonë. Identitet kulturor, ne jemi vend mesdhetar. Ne ndajmë shumë me Greqinë, Kroacinë, Italinë. Jemi vend i Ballkanit Perëndimor, ndajmë me Kosovën, Malin e ZI, Bosnjën. Jemi dhe të ndryshëm. Një strategji unifikuese na përgatit për Perëndimin. Pas pandemisë mund të shohim që kjo duhet të bëhet punë e përditshme që të rinjtë të qëndrojnë këtu, me politika arsimore, strehimin për të mbështetur çiftet e reja.

Këto janë hapat që ne përpiqemi t’i zgjerojmë për t’i mbajtur të rinjtë këtu. Ndoshta 30 vite më parë kur isha në SHBA në vitet e para të arsimit tim, njerëz më të zgjuar se unë më tregonin se kur të kthehesh në Shqipëri profesionet që jeni mësuar ndoshta nuk do të ekzistojnë më. Sot që jam më i rritur mund të shikoj se vajzat e mia po ndjekin fusha të tjera të cilat unë s’i kisha menduar më parë. Është një përzierie e mirë për t’i mbajtur të rinjtë këtu. Një përzierje e mirë e politikave për të rinjtë dhe digjitalizimi do të na bënin të ndërronim faqen e ekonomisë për një më modrene. Ne kemi investuar shumë, por gjatë viteve të fundit qeveria ka injektuar shumë para. 95% e shërbimeve janë online, në internet. Në fillim të majit kryeministri mbylli shërbimet fizike dhe po nxisim veten që të përdoren vetëm shërbimet online.

Kjo agjendë duhet të mbështesë agjendën e të rinjve. Po kalojmë në një etapë të re. Dy aeroporte të reja. Infrastruktura rrugore gjithashtu. Njerëz që kthehen pas 6 muajsh shikojnë çfarë ka ndryshuar. E gjithë kjo, në vende si Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, nuk mund të bëhet pa ndihmën e BE-së. Vendet Adriatiko-Joniane e dinë mirë se janë më afër në të gjitha aspektet. Ju falednderoj për ndihmën që i keni dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit. E di se së fundmi ndoshta edhe mund të mos tregohem korrekt, por ka pasur disa pengesa qesharake si ajo tani. Ne kemi bërë detyrat tona. Pengesat artificiale që hynë në proces… Ne jemi Evropianë. Nuk bëjmë përpjekje për të qenë, sepse ne jemi, ndihemi, jetojmë si të tillë dhe meritojmë të jemi pjesë e BE-së. Shqipëria është një vend me potencial fantastik. Po përjeton një rritje në turizëm që s’është parë në të kaluarën. Tani janë tre herë vizitorë më shumë”, tha Ahmetaj.

***

Forumi i 7-të EUSAIR u hap në Tiranë me fjalimet kryesore të Megi Fino Zëvendës Ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Ferreira, Komisionere Evropiane për Kohezionin dhe Reformën, si dhe fjalime nga Përfaqësues të tjerë të Lartë të Shteteve Anëtare dhe Komisionit Evropian.

Është një event qendror rajonal (i mbajtur në Izola, Slloveni vitin e kaluar), fillimisht event i  projektuar për shkëmbimin e praktikave të mira ndërmjet Shteteve Anëtare në një sërë projektesh në katër shtyllat kryesore të kësaj strategjie evropiane (rritja blu, lidhja midis vendeve të rajonit, cilësia e mjedisit dhe turizmi i qëndrueshëm), por prej kohësh i ka tejkaluar këto korniza. Sot, Forumi mbledh së bashku përgjegjësit për punët e jashtme dhe fondet Evropiane, zyrtarë të Komisionit Evropian, ekspertë të shquar nga shumë fusha, biznesmenë dhe të rinj për të diskutuar të ardhmen e strategjisë dhe rolin e saj në adresimin e çështjeve kyçe në rajon.

Foto 1

Në përputhje me faktin se viti 2022 është Viti i Rinisë në Bashkimin Evropian dhe Tirana është kryeqyteti evropian rinor i këtij viti, aktivitetet e Forumit do të fokusohen tek të rinjtë dhe përfshirja e tyre në rajonin e Adriatikut dhe Jonit. Tema të tjera që do të diskutohen nga pjesëmarrësit do të lidhen kryesisht me integrimin evropian dhe Agjendën e Gjelbër, turizmin dhe kulturën, si dhe lidhjen, qoftë përmes digjitalizimit ose transportit dhe infrastrukturës.

Dy nga pikat kryesore të aktivitetit 3-ditor do të jenë një sërë leksionesh mbi shtyllën e cilësisë së mjedisit në kuadër të strategjisë EUSAIR, të organizuara me mbështetjen e EUSAIR Facility Point në Izola, Slloveni dhe të bashkëfinancuara nga Interreg Adrion dhe Komisioni Evropian. Në kuadër të këtij grupi, i cili do të fokusohet në biodiversitetin, zonat e mbrojtura detare dhe konkluzionet kryesore të sesionit të Konventës së Barcelonës, dr. Mitja Bricelj dhe dr. Senad Oprašić (koordinatorë të shtyllës së cilësisë së mjedisit) dhe lektorë të shquar nga Sllovenia (dr. Andrej Sovinc, dr. Mitja Grbec), Greqia (dr. Vassiliki Vassilopoulou dhe Stavros Antoniadis), Kroacia (mag. Davor Percan) dhe Mali i Zi (dr. Mirko Gjuroviq). Ky është një grup i shumëpritur leksionesh, analizash të thella dhe rezultate konkrete të projekteve kryesore në fushën e cilësisë së mjedisit, të cilat janë njohur nga Komisioni Evropian dhe kanë potencial të madh për zbatim në shtetet e tjera anëtare.

Foto 2

Fokusi i dytë është në kurset e mësimit online për infrastrukturën e gjelbër, e cila është pjesë e Learning Channel (Kanalit mësimor) brenda Platformës së Aksionerëve të EUSAIR (ESP). Ato u zhvilluan nga ekspertë të Rajonit Italian Marke në bashkëpunim me Bashkinë e Izolës dhe kompaninë ZeroGravità bazuar në Manualin për Planifikimin e Infrastrukturës së Gjelbër. Modulet e trajnimit fokusohen në konceptet kyçe të infrastrukturës së gjelbër dhe rolin e tyre në planifikimin modern hapësinor dhe kanë për qëllim kryesisht organet dhe institucionet vendimmarrëse, si në nivel kombëtar dhe lokal, përgjegjës për planifikimin hapësinor. Kurset falas të mësimit online do të jenë një mjet i shkëlqyer për këdo që dëshiron të zgjerojë njohuritë për infrastrukturën e gjelbër dhe ndikimin e saj në jetën e përditshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb