Gazetarja Rudina Xhunga analizoi situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, ku tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se Shqipëria po shkon drejt skenarit më të keq, hapjes së stadiumeve për pacientët e sëmurë.

Sipas gazetares Xhunga, shqiptarët treguan se mund ta mposhtin virusin vetëm nëse mbyllen totalisht, ndërsa shtoi se qeveria heziton të bëjë një karantinë të dytë, pasi i duhet të marrë borxhe për të paguar njerëzit dhe bizneset.

“Nuk mendoj se pacientët vrasin veten, se nuk kanë shtretër. Lajm i keq është se ne po afrohemi me shpejtësi drejt stadiumeve, ai që është parë si skenari më i keq dhe përfundimtar. Nuk e kisha menduar kurrë që Shqipëria do të ecte me këtë shpejtësi të madhe drejt gjëmës. Çmenduria kolektive do na marrë në qafë të gjithëve. Unë kam frikë edhe për hapjen e shkollave në vend, do doja që të mos hapeshin. Këtu do të ishte mirë që edhe baret, edhe shkollat të mbyllen. Padyshim që do të shkohet drejt një karantine të dytë, sepse shqiptarët treguan se mund t’ia dalin ndaj virusit vetëm nëse mbyllen totalisht”, u shpreh Xhunga.

Faza e dytë duket se është më agresive se e para…
Virusi duket më agresiv, më ngjitës, numrat e të shtruarve në kujdesin intensiv janë rritur dhe për këtë mjekët vunë alarmin. Turqia ka qenë vend i rëndësishëm për kurimin e pacientëve të pasur nga Shqipëria, por kufijtë po shkojnë drejt mbylljes, kështu që edhe kjo derë s’do gjendet më e hapur. Ndaj dhe kush ka frikë nga virusi, duhet të izolohet, të mos cojë fëmijët në shkollë. Unë nuk jam e sigurt nëse do ta çoj vajzën në shkollë këtë dhjetor.

E vetmja mënyrë për t’ia dalë në këtë situatë është të jemi bashkë. Nuk ndihmojnë kritikat e politikanëve. Në këtë vend askush nuk e hedh një dorë, nuk del vullnetar për të ndihmuar. Nuk zhvillohet bota pa vullnetarizëm, nuk lihen të vdesin ata që kanë probleme. Në këtë moment duhet të jemi të gjithë bashkë, që të mos shkojmë te stadiumet, se do bëhemi dhe më keq, nëse secili hedh nga një gur. Ky dhjetor i vështirë për Shqipërinë nuk pritet të lehtësohet. Hapja e Covid-4 është një sinjal i keq, i parashikuar, për të cilin nuk duhet të gëzohemi, por të tmerrohemi që nuk ja kemi dalë të kuptojmë se ky virus është ngjitës dhe duhet të respektojmë masat, por edhe të ndihmojmë sa më shumë mjekët.

Intervista e Ramës për “Forbes”, ku thotë se Shqipëria është ndër vendet më pak të prekura nga Covid-19…
Rama flet për shifra, por nuk duhet të gëzohemi me to, pasi sot i ke mirë, nesër i keq. Unë hyj te njerëzit që dua të ndihmojë në ndërgjegjësim. Po shoh një lloj hezitim të qeverisë për ta mbyllur sërish vendin, edhe për faktin se nuk e ka mundësinë të paguajë njerëzit, pasi nuk ka dhe i duhet të marrë borxh. Qeveria nuk e ka të lehtë ta mbyllë Shqipërinë në këtë moment, ashtu siç nuk e ka të lehtë edhe ta lërë hapur. Kur dal jashtë shoh qytetarë kudo, dhe e vetmja gjë që më bën të besoj se Covidi po bën kërdinë janë ambulancat dhe makinat e varrimit rrugëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb