Një situatë e pazakontë është krijuar në ambientet e pasme të pallatit nr. 10 në rrugën “Frang Bardhi” në lagjen “Skëndërbeg” të qytetit të Lezhës për shkak të ujërave të zeza.
Ujërat e zeza të banesave private shkarkohen pranë këtij pallati i cili ndodhet ngjitur me prefekturën dhe Bashkinë e Lezhës, kjo situatë e cila vijon prej muajsh ngriti në proteste banoret të cilët thonë se bashkëjetesa me ujërat e zeza është kthyer në shqetësim të madh për ta.

Janë ankuar zyrtarisht tek institucionet përgjegjëse, por asnjë masë nuk është marrë për t’i dhënë zgjidhje problematikës tregojnë banoret. Me rritjen e temperaturave prezenca e ujërave të zeza përreth këtij pallati bëhet dhe më problematike dhe rrezik epidemie, ndaj kërkohet që të gjendet sa më parë zgjidhje.