Ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, e ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24 ka akuzuar mazhorancën se është duke përdorur trupat diplomatike jashtë vendit në mënyrë që të ndikojë tek vota e diasporës.
Drejtuesja politike e PD për Diasporën u shpreh se janë përdorur selitë jashtë vendit, ndërsa veçoi një rast ku sipas saj është përdorur edhe një sindikatë në Itali, e cila u ka bërë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në takime me ministrin dhe zyrtarë shqiptarë.
Administrata sipas saj është nën presion të vazhdueshëm në lidhje me sigurinë e vendit të punës, ndaj diaspora shihet si një faktor i lirë që mund të sjellë ndryshime politike në vend.
“Kjo është pjesë e shqetësimeve që ka lidhje me votën e diasporës, selitë vijojnë të keqpërdoren.
Nëse një pushtetar apo ministër të qëndron në krah, të imponohet vota, kjo është një prej shqetësimeve. Shfrytëzimi i administratës dhe presioni për të plotësuar një listë me kushërinjtë duke i rritur presionin se nuk i sillni nuk di se sa të sigurt e keni punën, nëse e kërcënon dikë me bukën e fëmijëve… është më e rëndë se sa përdorimi i selive.
Disa shqiptarë nga Rimini, Itali më dërguan diçka, s’më kishte shkuar në mend, këto kanë përfshirë me fuqinë e korruptimit dhe parasë, kanë përfshirë sindikata në Itali që bënin thirrje për takime me ministrin dhe zyrtarë shqiptarë, ishin ministri dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit. Përdor të dhënat e shqiptarëve një sindikatë italiane, të dhëna të cilat janë private. Janë gjëra të çuditshme që po ndodhin. Presion jashtëzakonisht i madh.
Por nëse shqiptarët do të mobilizohen shumë, pesha e numrave të tyre jashtë diasporës është shumë i madh dhe mund të bëjnë rotacionin politik. Mazhoranca është e ndërgjegjshme ndaj po përdorin edhe rrugë të jashtëligjshme”, ka përfunduar ajo.
(BalkanWeb)