Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka akuzuar Kinën për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendit. Trudeau akuzoi Pekinin se po luan “lojëra agresive” me demokracinë dhe se po synon institucionet kanadeze.

Këto akuza vijnë pasi mediat lokale raportuan se inteligjenca kanadeze identifikoi një “rrjet kandidatësh”, të paktën 11 prej tyre, që sipas pretendimeve janë mbështetur nga Kina në zgjedhjet federale të vitit 2019.

Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze u shpreh se vendi i tij nuk ka “nuk ka asnjë interes” në punët e brendshme të Kanadasë.

Media lokale “Global News” raportoi se Pekini kishte ofruar fonde për kandidatët dhe se operativët kinezë kishin vepruar si këshilltarë të fushatës për shumë kandidatë.

Operacioni për financimin prej 25.0000 dollarë për të paktën një kandidat, thuhet se u drejtua nga konsullata e Kinës në Toronto.

Përpjekja për ndërhyrje besohet të ketë shënjestruar partinë liberale të Trudeau dhe partinë opozitare Konservatore.

Këto akuza dhe raporte vijnë pasi autoritetet thanë se po hetonin mbi dyshimet se Kina kishte hapur stacione “policie” jozyrtare në tokën kanadeze.

Muajin e kaluar, Policia e Kanadasë tha se po hetonte raportet për “veprimtari kriminale në lidhje me të ashtuquajturat stacione “policie”, të cilat janë raportuar gjithashtu në një numër vendesh evropiane.

Disa shtete të BE-së, përfshirë Irlandën dhe Holandën, kanë urdhëruar tashmë Kinën të mbyllë stacionet e policisë, të cilat thuhet se janë përdorur për të bërë presion ndaj kundërshtarëve të qeverisë që të kthehen në Kinë dhe të përballen me akuza penale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb