Mjeku shqiptar anestezist-reanimator, që shërben në Spitalin e Athinës, dhe që është edhe pronar i laboratorit Intermecia, Vasil Llajo, rrëfen në një intervistë për gazetën “Dielli” gjithë ecurinë e koronavirusit në vendin fqinj.

Mjeku Llajo tregon se virusi i rëndë mbërriti në Greqi më 26 shkurt dhe nisi të përhapet në të gjithë vendin, duke shënuar rritje të numrit të të infektuarve ditë pas dite, der inga fundi i prillit, kur mendohet të ketë arritur pikun dhe më pas ka nisur rënia.

Më tej, mjeku shqiptar flet për rihapjen e jetës dhe aktiviteteve në vendin fqinj, si dhe rrezikun e koronavirusit në vijim, teksa shprehet mes të tjerash se “Virusi qarkullon dhe do vazhdojë të qarkullojë ndoshta për shumë kohë. Akoma nuk ka të dhëna të plota për këtë kohë. Flitet për muaj ndoshta dhe vite. Por skenarët do të jenë optimistë me zbulimin e vaksinës”.

Por më i rëndësishëm është fakti se mjeku Vasil Llajo nuk e ka harruar Shqipërinë në këtë kohë të vështirë, teksa ka vendosur ta ndihmojë, duke i dhuruar Institutit të Shëndetit Publik 4500 tuba të tipit Facon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner.

GREQIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN HELEN

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e doktor Vasil Llajo mjekut shqiptar anestezist- reanimator në Athinë, dhënë gazetarit Sokol Paja.

HUMANIZMI I DR.VASIL LLAJO: Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner….

SITUATA NË SHTETIN GREK

Sipas doktor Vasil Llajos mjekut shqiptar anestezist- reanimator që punon në Athinë, pacienti i parë në Greqi, ose pacienti zero, u detektua në datën 26 shkurt në qytetin e Selanikut. Prej asaj dite u shtri pothuaj në gjithë territorin e saj. Shumica e rasteve të para të shënuara mendohet se kanë lidhje me personat që kishin udhëtuar në Itali dhe me pak me një grup udhëtarësh në Egjypt dhe Israel. Duke ndjerë rrezikun e përhapjes së shpejtë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit publik shpallen si masë të parë anullimin e festimeve të karnavaleve dt.27 shkurt në qytete të ndryshme. Deri në dt.10 Mars ishin regjistruar 89 raste me Covid -19. Në dt. 10-11 Mars u njoftua mbyllja e fluturimeve ajrore ndërkombëtare për qytetaret duke lënë vetëm pak linja ajrore për riatdhesim ose shërbime shtetërore të domosdoshme. Në dt.12 Mars u njoftua vdekja e parë. Atëherë u vendos mbyllja e shkollave në të gjitha nivelet dhe në dt.13 Mars u shpall mbyllja e shumë aktiviteteve, pra “lockdoun “. U mbyllën kështu të gjitha kafenet, baret, qendrat tregëtare, muzeumet, restorantet, qendrat sportive dhe të atletikës, palestrat e stërvitjeve, qendrat e gjimnastikës personale etj. Më 16 Mars u vendos dhe ndërprerja e aktiviteteve dhe shërbesave fetare. Mbeten të hapura vetëm dyqanet e bukës, supermarket, farmacitë, qendrat diagnostikuese dhe disa shërbime të tjera. U vendosën masa të rrepta kufizuese në qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik ose privat. Marrja e masave kufizuese shumë herët, më shpejt se vendet e tjera të komunitetit europian mendohet se është një nga arsyet e resultateve të arritura në përballimin e pandemisë, duke e futur Greqinë në vendet “model” duke marrë vlerësime mjaft pozitive nga opinioni europian dhe më gjërë. Në dt.19 Mars qeveria greke shpalli dhëniën e një pakete ndihmëse financiare për përballimin e situatës prej 10 billion euro. Deri në dt. 23 Prill numri i rasteve ishte në rritje me një kurbë “crescendo”. Pas kësaj datë kjo kurbe u horizontalizua dhe nga fundi i Prillit, rreth dt.28-29, filloi rënia e saj. Deri me dt.3 Maj u shënuan 2.626 raste të prekura nga Covid -19. Numri i vdekjeve arriti në 144, mbi 55 % ishin meshkuj dhe mosha mesatare 74 vjeç. Shumica e tyre i takonte pacientëve me risk të lartë, pra ata që kishin sëmundje kronike të mëparshme. Duke parë se numri i rasteve të reja në ditët e para të muajit Maj ishte në rënie dhe shumë i vogël, Qeveria Greke vendosi lehtësimin e masave shtrënguese. Kështu duke filluar nga dt. 4 Maj hiqet kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik dhe privat.

SI PARAQITET E ARDHMJA NË GREQI

Do lejohet hapja e disa aktiviteteve ku shërbehet me kritere të caktuara për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe rrezikun e përhapjes së virusit. Nuk lejohet akoma hapja e hoteleve dhe aktiviteteve turistike. Turizmi, si një degë kruciale e ekonomisë greke ka pësuar një goditje sinjifikative që do të dojë muaj të rikthehet në gjendjën e mëparshme. Në dt. 11 Maj do hapin aktivitetin e tyre dhe restorantet, baret etj por në ambientet e jashtme ose “take aëay”. Mendohet mbas dt. 15 qershor të fillojë hapja e hoteleve turistike. Theksohet vazhdimisht ruajtja e masave kundër rrezikut të përhapjes si mbajtja e distancës fizike mbi 2 m, mbajtja e maskave në ambjente të shërbimeve apo transporteve publike, supermarket dhe kudo që presupozohet prezenca e mbi 4-5 vetave. Parashikohet një ecuri e mirë e kurbës së të prekurve duke ngelur në shifrat e sotme ose ndoshta me një rritje të lehtë pas heqjes së masave kufizuese, por me shpresën e rënies në ditët në vazhdim.

SHQIPTARËT NË GREQI

Shqiptarët në Greqi janë pjesë integrale e shoqërisë greke dhe si të tillë i janë nënshtruar në mënyre ekuivalente masave të marra. Janë ndërgjegjesuar se marrja dhe respektimi i masave shtrënguese është pjesë e interesit publik për mbrojtjen e njerëzve. Ata kanë përfituar nga masat e ndihmës ekonomike të shpallura nga qeveria si çdo qytetar tjetër.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT

Unë si mjek do të këshilloja të jemi akoma të kujdesshëm me këtë lloj pandemie, pavarësisht ritmit gradual në rënie të kurbës së infektimeve. Nuk duhet të neglizhojmë akoma kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve. Të vazhdojmë të respektojmë akoma regullat e higjienës personale, të distancimit fizik dhe mbajtjes së maskës në fytyrë sipas kritereve të vendosura nga organet e shërbimit publik shëndetësor. Virusi qarkullon dhe do vazhdojë të qarkullojë ndoshta për shumë kohë. Akoma nuk ka të dhëna të plota për këtë kohë. Flitet për muaj ndoshta dhe vite. Por skenarët do të jenë optimistë me zbulimin e vaksinës. Mund të themi se shenjat e para të optimizmit duken me përdorimin për qëllime terapeutike të medikamentit Remdesivir. Opinioni mbarë ndërkombëtar është duke ndërtuar strategjitë e nevojshme për përballimin dhe kufizimin e përhapjes së këtij virusi. Me optimizëm po ju them se të gjithë bashkë në unitet do ta kalojmë dhe këtë provë të vështirë.

HUMANIZMI I DOKTOR VASIL LLAJO

Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner. Ky ishte një ndihmë simbolike sipas doktor Vasil Llajos në shenjë mirënjohjeje e respekti ndaj mjekeve dhe personelit tjetër mjekësor që ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës ndaj virusit SARS CoV-2 në Shqipëri. Doktor Vasil Llajo ka punuar deri në viti 1992 si mjek Anestezist-Reanimator pranë klinikës së Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” Tiranë dhe më pas nga 1993 u zhvendos në Greqi dhe mbrojti Diplomën e Mjekut dhe filloi punë si Anestezist në Spitalin “ KAT” Athinë. Në vitin 1995 rikthehet në Tiranë duke hapur Qendrën e parë private diagnostikuese, ku përfshihet dhe laboratori Intermedica. Në vitin 2010 doktor Vasil Llajo hapi Laboratorin mjekësor në Prishtinë – Kosovë të quajtur “Tirana Lab” ndërsa nga vitin 2016 ka hapur në Athinë një qendër diagnostikuese “Premium Lab”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb