Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka kërkuar “të gjitha palëve” në Lindjen e Mesme që të shmangin “çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin” në Gaza, pasi Libani fajësoi Izraelin për një seri shpërthimesh pejxherësh që synonin anëtarët e Hezbollahut.
Blinken tha gjatë një konference për shtyp në Egjipt, se Shtetet e Bashkuara “nuk dinin dhe nuk ishin të përfshira në këto incidente”.
“Ende po mbledhim informacionin dhe po mbledhim faktet. Ne mbetemi shumë të qartë për rëndësinë që të gjitha palët të shmangin çdo hap që mund të përshkallëzojë më tej konfliktin në Gaza”, u tha Blinken gazetarëve.
Blinken po fliste së bashku me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty, i cili dënoi sulmet dhe paralajmëroi se përshkallëzimi mund të çojë Lindjen e Mesme “të lëvizë në skajin e luftës gjithëpërfshirëse rajonale”.
“Egjipti është kundër çdo veprimi të njëanshëm që mund të sulmojë sovranitetin e Libanit. Solidarizohemi me qeverinë dhe popullin e Libanit. Dënojmë çdo shënjestrim të sovranitetit libanez”, shtoi ai.