Në Shqipëri autoritetet hodhën poshtë pretendimet e gazetares britanike Alice Elisabeth Taylor se zyrtarët shqiptarët i anuluan përtëritjen e lejeve të qëndrimit për shkak të profesionit të saj dhe disa shkrimeve kritike ndaj qeverisë.

Një burim zyrtar i tha Zërit të Amerikës se vonesat në vendimin për ripërtëritjen e lejes lidhen vetëm me procedurat dhe se në këtë rast, ka patur disa shkelje nga ana e shtetases britanike. Sipas ligjit, sqaron burimi, aplikimi duhet të bëhet 60 ditë përpara skadimit të afatit të lejes ekzistuese, e cila ishte e datës 27 Janar 2019.

Ndërkohë që “dosja me aplikimin për rinovim të lejes së qëndrimit është paraqitur më 1 shkurt, pra jo vetëm në shkelje të afatit, por dhe përtej skadencës së lejes ekzistuese. Në një situatë të tillë, zonjës i ka lindur detyrimi të shlyejë një gjobë prej 20,000 Lekësh”, shpjegon burimi zyrtar, duke shtuar se “mos shlyerja e detyrimit të gjobës, pengon hedhjen në portalin e lejeve të qëndrimit, për të nisur shqyrtimin e mirëfilltë të dosjes. Sipas procedurave, pas hedhjes në portal, dosja shqyrtohet edhe nga autoritetet e sigurisë”.

Po ashtu, një tjetër shkelje, sipas autoriteteve shqiptare, rezulton të jetë dhe fakti se “aplikimi është paraqitur nga një person tjetër, dhe jo nga vetë e interesuara. Po ashtu, rinovimi për leje qëndrimi është kërkuar për shkak të bashkëjetesës me një shtetas shqiptar. Me këtë motiv ajo ka marrë dhe lejen e mëparshme”, ishte shpjegimi që u dha për Zërin e Amerikës, duke saktësuar se “në rastin aktual, bashkëjetuesi ka ndryshuar dhe procedura kërkon që jo vetëm ky fakt të dokumentohet, por dhe të nisë një procedurë e re jo thjesht rinovim”.

I njëjti burim zyrtar saktësoi se “autoritetet po presin plotësimin e kushteve ligjore që mundësojnë lëshimin e një leje të re e që janë: Aplikimi personalisht nga personi i interesuar; Pagesa e gjobës për shkak të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe dokumentimi i arsyes së re të qëndrimit, që pretendohet të jetë një bashkëjetesë e re me një shtetas tjetër shqiptar. Me plotësimin e këtyre kushteve, autoritetet përgjegjëse bëjnë vlerësimin dhe marrin vendim. Kjo është praktika që ndiqet, për çdo shtetas të huaj, pavarësisht profesionit që ushtron”, saktësuan autoritetet. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb