Agim Nesho, zëvendëskryetar i Partisë së Lirisë i ka bërë thirrje administratës publike që të ruaj statusin e saj në shërbim të popullit dhe të vendit.

Përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, Nesho thekson se çështja e pavarësisë dhe funksionimit të administratës publike është një nga kriteret kryesore të monitorimit nga Bashkimi Europian.

Mes të tjerash Nesho pohon se administrata po merr gjithmonë e më shumë formën dhe ngjyrat e patronazhistëve që kontrollojnë zgjedhjet.

REAGIMI I NESHOS
Administrata Publike duhet të ruajë statusin e saj në shërbim të popullit dhe vendit
Çështja e pavarësisë dhe funksionimit të administratës publike është një nga kriteret kryesore të monitorimit nga Bashkimi Europian. Kjo administratë përbën një nga shtyllat e shtetit dhe nuk mund të keqtrajtohet, të zhballancohet nga militantët e pushtetit të radhës, të përdoret prej tij (pushtetit) për të justifikuar korrupsionin dhe keqqeverisjen.
Në vendet europiane administrata publike është e pavarur dhe i shërben interesave të shtetit. Edhe në sistemin amerikan, ku balanca e pushteteve është perfekte dhe e kontrolluar, vetëm ministrat betohen dhe i shërbejnë Presidentit për të realizuar politikat për të cilat ai është votuar. Gjithë administrata e re, duke përfshirë edhe ata që vijnë nga forca politike që fiton zgjedhjet (administrata ndryshon 8-10 %) betohet në kushtetutë dhe në mbrojtje të interesave të popullit dhe shtetit.
Në Shqipëri, si vend hibrid demokratik, administrata gjithmonë e më shumë po mbetet nën presionin e pushtetit. Numri i saj ndryshon jo nga nevojat që ka vendi, por rritet dhe zmadhohet për ti dhënë votën dhe mundësuar pushtetin. Sot administrata shqiptare nga 105,000 po ju afrohet shifrave të 200, 000 mijë. Ajo po merr gjithmonë e më shumë formën dhe ngjyrat e patronazhistëve që kontrollojnë zgjedhjet.
Por ajo që është me e patolerueshme është se segmente të kësaj administrate, nën presionin e heqjes nga vendi i punës, po përdoren për të justifikuar vjedhjen dhe shpërdorimin e pronës publike, përdorimin për të justifikuar tenderat dhe për të bërë gati letrat për mega aferat e shekullit, si inceneratorët dhe Porti i Durrësit.
Dje Kryetari i Partisë së Lirisë, zoti Meta, bëri thirrje që të distancohen nga këto afera korruptive, të cilat shumë shpejt do të jenë përpara drejtësisë së vërtetë.
Partia e Lirisë ju bën thirrje punonjësve të ndershëm të administratës publike që të distancohen dhe të refuzojnë të bëhen pjesë e cdo skandali që ata i con të ballafaqohen me ligjin, ndërsa pushtetarët i pasuron pambarimisht.
Ka ardhur koha që cdokush të ndalë veprimin korruptiv të kësaj klike qeverisëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: