Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit, ngriti disa pyetje lidhur me projektin e ndërtimit të portit të Durrësit.

Ajo tha se është e habitshme se si kryeministri Edi Rama nuk firmos kurrë në projekte, sikundër ka ndodhur edhe në këtë të portit të Durrësit.

“Ajo që të bën përshtypje është që çuditërisht kryeministri nuk firmos asnjëherë në këto projekte kaq të mëdha dhe fitimprurëse. Pse ka frikë të vendosë firmë në një projekt kaq të madh?

Ministrja e Financave tha më parë që njërën nga kompanitë e kemi sekrete dhe s’mund të tregojmë kush fshihet pas. Është diçka e rëndë mungesa e transparencës, një ndër to është dhe inceneratorët, ku mungesa e transparencës ka çuar prapa hekurave shumë persona, por çdo ditë thellohet dhe më shumë skandali i saj.

Do të ndodhi që ky investim nuk do behët, por do bëhet nga lekët e shqiptarëve apo atyre që do blejnë apartamente në 20 vite. Nëse kjo kompani offshore dështon kush mbaj përgjegjësinë?

Pjesa tjetër, a kemi një çedim të sovranitetit të shtetit? Sepse shteti është 33% aksioner ndërsa kompania e fshehtë është 67%” aksionere”, u shpreh ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb