Qeveria e Serbisë ka miratuar pakon e masave për të cilat është rënë dakord në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me serbët nga Kosova, takim që është mbajtur të enjten më 13 prill, në Rashkë.

Kryeministrja Ana Bërnabiç, tha se Serbia nuk ka asnjë obligim nga Marrëveshja e Ohrit, ndërsa për Kosovën deklaroi se e ka obligim themelimin e Asociacionit. Por, ajo pretendoi se nuk beson që Kosova do ta bëjë Asociacionin.

Përmes një pakte me 5 pikash, ajo ka kërkuar instalimin e Asociacionit, reagim nga bashkësitë kombëtare kundër qeverisë së Kosovës, anulimin e zgjedhjeve në veri dhe largimin e forcave policore nga zonat e komunitetit serb.

Propozimet e qeverisë serbe:
1 . Republika e Serbisë kërkon reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë menjëherë t’i japin fund shkeljes së marrëveshjes për targat dhe të lejojnë lirinë e plotë dhe të papenguar të lëvizjes për serbët. automjetet e të cilëve përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë. Për të mbrojtur këtë të drejtë të patjetërsueshme njerëzore të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare, është e nevojshme që ISP në Prishtinë të veprojë pa vonesë në përputhje me të gjitha marrëveshjet nga dialogu, por edhe me të gjitha dokumentet tjera relevante ligjore ndërkombëtare.

2. Formimi i pakushtëzuar dhe urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë dhe Metohi është parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtutjeshëm në dialog, si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucionet krahinore dhe aktivitetin e tyre të mëtejshëm politik në krahinë.

3. Forcat policore shqiptare ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, ku terrorizojnë brutalisht serbët paqësorë që jetojnë atje. Përfaqësuesit e misioneve kompetente ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë e dinë mirë këtë, si dhe faktin se ISP në Prishtinë, përmes pranisë së këtyre forcave, shkel dispozitat e Marrëveshjes së Parë që rregullojnë çështjen e pranisë policore në veriun e Kosovës.

4. Qeveria e Republikës së Serbisë dënon fuqishëm përpjekjen jodemokratike për të mbajtur zgjedhje për administratën lokale në katër komuna me shumicë serbe në veri të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë beson se zgjedhje të tilla nuk kanë kuptim, sepse Prishtina po përpiqet të krijojë një situatë në të cilën 2 për qind e popullatës shqiptare në veri të Kosovës do të qeverisin dhe vendosin për 98 për qind të serbëve që jetojnë atje.

5. Republika e Serbisë do të ndërmarrë të gjitha masat juridike politike dhe ekonomike, për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe të drejtave themelore njerëzore dhe politike të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare në Kosovë e Metohi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: