Propaganda ka qenë gjithmonë një nga pikat ku Moska ka investuar shumë, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë sot se Rusia ka prezantuar një paketë falas të kanaleve satelitore për banorët që jetojnë në Ukrainë, lëvizje kjo që është konsideruar nga ekspertët si një përpjekje për të krijuar një “geto dixhitale”.

Paketa quhet “Russkiy Mir” ose “Bota Ruse”, një moto kjo kur bëhet fjalë për propagandën që Rusia kërkon të përhapë jashtë kufijve të saj, duke u fokusuar në madhështinë e saj perandorake dhe armiqtë e jashtëm të vendosur për ta shkatërruar atë, saktësisht Perëndimi.

“Gjëja më e rëndësishme që Rusia po bën në territoret e pushtuara është të përpiqet ta shkëputë këtë popullsi nga axhenda ukrainase, ata po krijojnë ‘geton e tyre dixhitale’. Ata e bëjnë këtë duke bllokuar mediat ukrainase,” tha për Radio Svoboda Ihor Solovei , kreu i Qendrës së Ukrainës për Komunikime Strategjike dhe Sigurinë e Informacionit .

Paketa përfshin 20 kanale ekzistuese ruse si dhe 10 kanale televizive lokale të prodhuara posaçërisht për qytetarët në zonat e pushtuara. Së shpejti do të shtohen edhe nëntë kanale argëtuese, sipas faqes ku banorët mund të aplikojnë për të instaluar paketën.

Gjithçka nga kutia deri te instalimi dhe abonimi ofrohen falas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb