Dinamo ndodhen në një moment shumë delikat, vetëm matematika i lejon të besojnë, por në realitet janë me një këmbë në inferiore. Për të qëndruar akoma në lojë, të hënën përballë Kastriotit, rivalit të tyre kryesor, kërkohet fitorja me çdo kusht për të ngushtuar diferencën prej tetë pikësh. Vanoli, trajneri i ri i Dinamos, i treti këtë sezon, mbetet në kërkim të pikëve të para, por italiani bën përgjegjës për situatën ku ndodhen blutë, ish trajnerët që kanë drejtuar më herët “nëndetësen”:

“Situata nuk është e thjeshtë, por për sa kohë që unë jam përpara jush unë jam i gatshëm për të provuar për ta ndryshuar atë. Dinamo është një emër i madh dhe unë, pavarësisht se për një kohë të shkurtër, e kam përzemër. Më vjen keq dhe për presidentin që ka investuar pa fund, por tani ka ardhur momenti që ne të marrim përgjegjësitë tona.

Nuk duhet thjesht presidenti dhe unë të jemi të përgjegjshëm, por të gjithë. Ka shumë kritika ndaj Dinamos, ka njerëz apo ish-drejtues që përpiqen të shpëtojnë fytyrën e tyre dhe dalin e flasin nëpër media, por nëse jemi këtu ku jemi, është përgjegjësi edhe e atyre njerëzve që kanë punuar për 9 muaj në këtë klub. Ka ardhur momenti që të gjithë të lëvizin të ndenjurat dhe të bëjnë maksimumin. Unë për sa kohë jam këtu besoj ende“.

Kastrioti? “Ne na nevojitet vazhdimësi. Kjo është ajo që na mungon, Luajmë mirë ndaj Tiranës, më pas gabojmë me Egnatian. Nuk është çështje skeme kjo. E njëjta skemë u përdor dhe me Tiranën, por është çështje që skuadra nuk ka vazhdimësi rezultatesh. Kastrioti ka 4 fitore 1 barazim në 5 ndeshjet e fundit. Kjo gjë ne na mungon. Nëse duam të shpëtojmë kjo është ajo për të cilën kemi nevojë“.

Sofranac dhe Imami? “Sofranac nuk u ndje mirë përpara ndeshjes me Egnatian, ndërsa Imami ka qenë i dëmtuar. I pari do të jetë me Kastriotin, i dyti do të vazhdojë të mungojë. Përpara se të flitet për situata të ndryshme brenda ekipit në lidhje me këta dy lojtarë, duhet njohur ambienti i klubit dhe si është gjendja brenda ekipit, jo të ngrihen akuza të paqena“, u shpreh Vanoli.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb