Planet e grupit terrorist Shteti Islamik për të rrëmbyer zyrtarë jashtë rajonit të Lindjes së Mesme dhe për t’i mbajtur ata me qëllim ushtrimin e ndikimit, shkaktuan një operacion amerikan gjatë të cilit u vra një prej organizatorëve të dyshuar të komplotit.

Komanda Qendrore amerikane konfirmoi të hënën vdekjen e Abd-al-Hadi Mahmud al-Haji Alit gjatë operacionit në Sirinë veriore, duke e përshkruar atë si drejtuesin që ishte përgjegjës për planifikimin e sulmeve në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Konfirmimi i vdekjes së tij erdhi disa orë pasi një zyrtar amerikan, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së operacionit, tha se trupi i drejtuesit të lartë ishte gjetur dhe se po i nënshtrohej testit të ADN-së për të konfirmuar identitetin e tij. Dy luftëtarë të tjerë u vranë së bashku me të. Sipas komandës amerikane nuk pati asnjë civil të plagosur dhe forcat amerikane të përfshira në operacion nuk pësuan asnjë dëm.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë opozitare me seli në Londër që monitoron luftën, raportoi se operacioni i forcave amerikane ndodhi para agimit në fshatin Suwayda, pranë qytetit Jarabulus, jo shumë larg kufirit me Turqinë.

Burimet i thanë kësaj organizate se forcat amerikane mbërritën me helikopter në orët e para të mëngjesit, duke filluar luftime të ashpra me luftëtarët e ISIS-it, që përfunduan vetëm pasi forcat amerikane lëshuan dy raketa mbi ndërtesën ku fshihej drejtuesi i ISIS-it. Zëri i Amerikës nuk arriti t’i konfirmojë ngjarjet në mënyrë të pavarur.

“Ne e dimë se ISIS-i ruan dëshirën për të goditur përtej Lindjes së Mesme”, tha në një deklaratë të hënën zëdhënësi i Komandës Qendrore, Kolonel Joe Buccino. “Ky operacion i jep një goditje të rëndësishme operacioneve të ISIS-it në rajon, por nuk e eliminon aftësinë e ISIS-it për të kryer operacione”.

Njoftimet për komplotin e supozuar për të rrëmbyer zyrtarë në vende të tjera dhe sulmi amerikan për të penguar përpjekje të tilla, vijnë pasi shumica e vlerësimeve perëndimore për organizatën ISIS në Siri dhe Irak, të konsideruara ndonjëherë si bërthama e ISIS-it, kanë nënvlerësuar aftësitë e këtij grupi.

Vetëm muajin e kaluar, një zyrtar i lartë i sigurisë tha se një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara nga ISIS-i ishte “pothuajse i paimagjinueshëm” për shkak të efektit të operacioneve antiterror nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: