Në takimin me qytetarët e Elbasanit kryeministri Edi Rama i mëshoi sërish idesë së tij, se Astrit Patozin e ka shtyrë të krijojë parti të re lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.
Duke ironizuar aleatët e Bashës, Fatmir Mediun Dash Shehun por edhe Monika Kryemadhin, Rama tha se “Ka dalë edhe partia më e re e Saliut. Futu ti i tha Patozit, të jemi 50% me 50% në rast se bie Luli nga pema”.

Pavarësisht ekzistencës së këtyre partive Rama premtoi që zgjedhjet do t’i fitojë sërish Partia Socialiste.

“Skuadra që i fitojnë të gjitha ndeshjet s’ka, por kampionët dijeni se fitojnë gjithmonë në fund. Ata që s’dalin dot kampion kanë zgjedhur të dalin nga stadiumi. Mos kini frikë për trazira, maksimumi që bëjnë këta është ajo që bëri profesori sot, për turpin e atyre që i kanë dhënë gradën profesor. Ne nuk jemi parti rrugore, në 30 qershor do marrim përsipër të vazhdojmë më tutje rrugën për Elbasan dhe gjithë bashkitë”,- tha Rama.

Nga Elbasani, i pari i qeverisë mbrojti sërish Vangjush Dakon, për akuzat e blerjes së votave.

“Po kur thonë na blenë votat dhe merren me Durrësin. Po në 2007, 2011 kur në pushtet ishte Saliu dhe i kishte të gjitha pushtetet fitoi apo humbi Dako në Durrës? Ka ndonjë që thotë se partia e Saliut, Jozefinës dhe e Olldashit ishte më e dobët se kjo e Lulit, Mulit dhe Nulit”,- vijoi Rama.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb