TIRANË

Në takimin me strukturat e njësisë 8 në Tiranë kreu i PD Lulzim Basha u ndal sërish në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa theksoi se olitikanë të cilët kanë hesape të pambyllura me drejtësinë, kujtojnë se mund t’i shpëtojë atyre duke mohuar masakrën zgjedhore.

“Po për masakrën zgjedhore e dëgjoni se ç’thonë sot apo jo? Ku s’ka shqiptarë dhe gjithë faktori ndërkombëtar është vetëdijësuar për faktet që kanë qenë në sytë e të gjithë shqiptarëve, të masakrës zgjedhore, tani, ndokush që ka hesape të pambyllura me drejtësinë, kujton se mund t’i shpëtojë atyre duke mohuar masakrën zgjedhore dhe duke shpikur fabula për pazare që ndoshta vetë i kanë bërë, pikërisht për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është e vërteta. Këto janë të vërtetat e fundit të një politike që i ka lodhur njerëzit. I ka lodhur është pak madje, i ka shkatërruar nga nervat, i ka dëshpëruar shumë prej tyre, i ka bërë të humbin besimin te vetë politikëbërja si instrument ndryshimi. Dhe kjo është ajo që duan një pakicë njerëzish që vjen vërdallë.” u shpreh Basha, ndërsa sulmoi ish kryeministrin Berisha kur tha se edhe në pushtet, ai dhe mbështetës të tij ishin gati t’i nxirrnin sytë demokratëve të ndershëm për karrigen e tij.

“Shikoni se çfarë ndodhi brenda shtëpisë tonë. Ashtu siç ju thashë në fillim, e gjitha gjoja filloi për arsye parimore por paska qenë për hallin e një njeriu. Sali Berisha filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Dhe përfundoi ashtu siçju thashë, ishte gati t’i vinte, ai bashkë me një grusht njerëzish që për karrigen e tyre janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë së tyre e treguan se kjo nuk është një betejë as për demokracinë, as për demokratët, por për hallin personal të Sali Berishës dhe për karriget e tyre. Jo sot, edhe dje, edhe para 5 vjetësh, edhe para 10-vjetësh, edhe kur kemi qenë në pushtet ishin gati t’i nxirrnin sytë çdo demokrati të ndershëm për karriget e tyre, për pushtetin e tyre personal të cilin gjithmonë e ka ndërtuar mbi sakrificën e demokratëve të ndershëm duke marrë e duke menduar çfarë të marrin kur çdo demokrat i ndershëm mendon çfarë të japi për këtë vend. Njerëzit e kanë kuptuar këtë. Nuk ka arsye tjetër pse jemi të gjithë bashkë sonte këtu e do të vazhdojmë të jemi ditë për ditë sepse njerëzit e kanë kuptuar. Pyetja që bënin njerëzit përpara pse s’del dhe ti, besoj e ka marrë përgjigjen. A mund t’i falja unë Edi Ramës kënaqësinë e një përplasje me demokratët si ajo që u përpoq të bënte Sali Berisha me ata pak njerëz që për karrigen e tyre janë gati të djegin Shqipërinë me datë 8 janar?

A mund t’ia lejoja vetes time në radhë të pare, që ky që më njihni si çunin e lagjes tuaj, edukatës time familjare, sensit tim si demokrat që në momentin e parë që ka lind kjo parti e jo më pastaj përgjegjësisë që më keni ngarkuar si kryetar i Partisë Demokratike t’i vija demokratët kundër njëri-tjetrit?

Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë. Dhe kjo është një arsye më shumë se pse sot jemi bashkë, jemi shumica absolute këtu e strukturave drejtuese, nesër do të jemi edhe më shumë siç ishim dje, siç ishim para 4 apo 5 ditësh, siç do të jemi nesër sepse demokratët nuk janë bashkë as për emrin, as për karrigen, as për famën e një njeriu të vetëm. Janë bashkë sepse tek bashkimi jonë shohin dhe gjejnë forcën për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të gatshëm që t’i përgjigjemi kujt? Kërkesave të shqiptarëve.

Sa herë kemi qenë bashkë, sa herë kemi qenë të qartë, sa herë kemi qenë të vendosur, kemi ditur të bëjmë punë shumë të mira për këtë vend sikundër dimë sot t’ju kërkojmë falje njerëzve edhe për ato që s’kemi bërë ashtu siç duhet, dhe për ato që kemi bërë gabim, edhe për ato gjynahe dhe mëkate që kanë rënduar mbi demokratët e thjeshtë dhe mbi të gjithë shqiptarët e thjeshtë. Dhe që ky process të jetë i vërtetë nga fillimi në fund, duhet të kemi një ndarje të plotë me këtë kulturë të së shkuarës, me ato hijet e të shkuarës që u thashë që vijnë vërdallë bashkë me simoblet e korrupsionit.” -tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb