Një pyetje publike për kryeministrin Edi Rama, në lidhje me këtë foto të sapopublikuar në Facebook në rubrikën e tij, të emërtuar në anglisht “Photo of the day” (Fotografia e ditës). Eshtë kjo foto ku tregohet një grua e një fëmijë pas një xhami makine. Gruaja e fëmija duket që derdhin lotë, lotë që përzihen me shiun e rrëmbyer e bien mbi tokën ku atyre, ndofta, nuk u ka mbetur asgjë, sepse Vjosa u ka rrëmbyer çdo gjë. Kjo është ajo që duket. Ajo që nuk duket është zoti Rama, përballë tyre, pas xhamit, rehatuar në kolltukun e fuoristradës, me kondicionerin në maksimumin e nxehtësisë, duke shkrepur Iphone 6, me ekran të madh e, më pas, duke buzëqeshur, ua tregon foton të tijve në makinë: “E bukur, ë?!”. A nuk ju duket shumë cinike kjo foto, zoti Rama?! Si ju shkon mendja në ato momente të zbaviteni duke bërë foto me atë grua e fëmijë ne mes të shiut?! E menduat për një çast se ai fëmijë mund të ishte Zaho juaj? Si do të ndjeheshit ju sikur dikush, në të njëjtat pozita që ishit ju, ti kishte bërë një foto Zahos, të lagur nga lotët dhe nga shiu njëkohësisht, duke u dridhur nga të ftohtit në krahët e Lindës? Ja kjo ishte pyetja që doja t’ju bëja….
(Gazeta Intervista/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: