Nga Elvin NURI

Himni më i bukur në botë
Mëngjesin e një të hëne gushti të vitit 69 një turmë gjigande priste me padurim performancën e një djali fare të ri. Pak pasi kishte aguar, në skenën e festivalit më legjendar të historisë u ngjit Jimi Hendrix. Ai ishte lëkurëzi, drogaman, kitaristi më i mirë që kishte njohur historia dhe protestonte kundër luftës në Vietnam. Në një kohë shumë të shkurtër, vetëm 26 vjeç, Hendrix ishte kthyer në antitezën e idealeve amerikane të kohës. Ai ishte një “bythëzi” që nuk mbante vendin e vet, por kishte krijuar influencë aq të madhe mes të rinjve amerikanë sa shumë prej tyre autoritetin e vetëm sovran konsideronin kitarën e tij të bardhë, plot shkëlqim.

Hendrix duhet të luante të dielën në mesnatë, por kushtet e motit dhe drita e pamjaftueshme për të xhiruar koncertin e shtynë performancën e tij për mëngjesin e së hënës. Ashtu si sot, edhe në vitet 60’, e hëna në vendet perëndimore i dedikohej totalisht punës, shkollës apo orareve fikse të institucioneve që krijojnë radhë të gjata nevojtarësh. Gjate ditëve të para të festivalit mendohet se pjesëmarrësit ishin rreth gjysmë milioni, mëngjesin e të hënës vetëm 200,000 veta mundën të prisnin Hendrix. Të tjerët iu kthyen jetës normale, rutinës dhe adrenalinës të së hënës në qytet.

Hendrix u ngjit në skenë bashkë me bandën e tij të sapoformuar (Gypsy Sun & Rainbows) dhe 200,000 njerëz u bënë dëshmitarët e një prej performancave më të fuqishme në planet. Ama, vetëm një copëz e atij spektakli do të mbetej në histori. Pasi luajti disa nga hitet e tij, të cilat kishin kapur majat e klasifikimeve në pak muaj, Hendrix nisi të luante me kitarën e tij këngën “Star Spangled Banner”. Po, Jimi Hendrix nisi të luante himnin amerikan, ashtu siç kishte bërë edhe plot 28 herë më parë, por këtë radhë ishte ndryshe. Meloditë e himnit amerikan ishin edhe më të çjerra se zakonisht, sepse përngjanin me krismat e qindra armëve, me zhurmën e predhave pak para se të pështynin napalm nëpër xhungël, me britmat e trupave që digjeshin në flakë dhe me zhinxhirët e karrove të blinduara që u kalonin sipër. Përball 200 mijë spektatorëve të trullosur nga drogërat, lodhja dhe habia, me një këngë të vetme, Hendrix zhveshi nga lajle-lulet ideologjinë amerikane të stabilitetit dhe të demokracisë. Në Vietnam po bëhej luftë për demokraci, paqe dhe prosperitet, mijëra kilometra larg perëndimit, djepit të civilizimit modern. Me një këngë të vetme, të xhiruar nga kamera amatore, nga skena e Woodstock të gjithë nacionalistët radikalë dhe fanatikët e kësaj bote dëgjuan meloditë e vërteta të ideve të tyre sipërfaqësore. Në fakt, shumë prej tyre e dënuan atë performancë dhe e cilësuan si përçundim të krenarisë kombëtare, sepse supozohej që ai himn duhej vetëm të luhej në oborret e institucioneve, për të kremtuar bindjen absolute ndaj simboleve autoritare. Hendrix u kishte treguar se pas “himnit më të bukur në botë” fshiheshin jo pak elemente të shëmtuara dhe të dhunshme. Lavdia e luftës kishte kosto shumë të larta dhe shlyheshin në lindje me gjak civilësh. Për shkak të asaj performance, Hendrix është kërcënuar jo pak herë, por lufta në Vietnam (dhe fundi i saj) ishte ajo që të gjithë ne njohim sot. Pavarësisht pasojave katastrofike, askush nuk mund të ankohet se nuk u çorr perdja e ideologjive të dhunshme të shekullit të XX, të cilat shfytëzuan të gjitha mjetet në qarkullim për të arritur qëllimet e tyre: simbolet, krenarinë kombëtare, keqinformimin, disiplinën, shpirtin e iniciativës, idealet e lirisë, dogmat fetare dhe gjithçka tjetër duhet për të vrarë njerëz mijëra kilometra larg shtëpisë.

Shumë amerikanë fanatikë e dënojnë ende gjestin e Hendrix dhe ndihen të ofenduar nga himni i tyre i çjerrë. Gjithsesi në një botë ekuilibrash dhe ekuilibristësh, dikush vret mijëra njerëz me zjarr, dikush tjetër ndez shpirtin e protestës te mijëra të tjerë. Historia rock-ut e cilëson Hendrix si “zot” (mbetet ende kitaristi më i mirë i të gjitha kohërave). Ndërsa të gjithë vrasësit një emër kanë, pavarësisht se i kanë shërbyer shtetit, kombit, fesë apo vetëgjyqësisë.

Futi stolitë prap në xhep
Pesë dekada dhe mijëra kilometra larg nga spektakli i çjerrë i Hendrix, në Tiranë u mbulua një hero kombëtar dhe ky gjest krijoi histeri kolektive në të gjitha sferat e shoqërisë. Në agimin e ditës së “Kurban Bajramit”, mijëra myslimanë mbushën “Sheshin Skënderbej”, dhe iu gjunjëzuan zotit të tyre, për paqe harmoni dhe një sër fjalësh të tjera të bukura që janë kthyer në formula fiske në kësisoj eventesh. Deri këtu gjithçka në rregull, por ndodhi ajo që nuk pritej nga ceremonia standarde dhe e përvitshme. Dikush kuptoi që Komuniteti Mysliman kishte mbuluar me panele pamjen ballore të statujës të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti. U shkrepën foto dhe shpejt e shpejt u publikuan online, me tituj bombastikë dhe me shkrime të gjatë, plot dy gishta.

Ajo që ndodhi më pas dihet, është konsumuar tashmë, por shija e hidhur do të mbetet për shumë, shumë gjatë. Gjesti i myslimanëve u konsiderua “fyerje kombëtare” dhe fasada e bukur e plot lajle-lule që si popull kemi krijuar mbi harmoninë fetare u çorr përgjithmonë. Nga një anë myslimanët mbuluan Skënderbeun, nga ana tjetër fanatikët dhe ateistët “e moderuar”, në kundërpërgjigje, u zhveshën vet dhe nxorrën në pah stolitë e tyre plot koka turku, beteja, fakte historike, përralla nga e kaluara apo dëshmi folklori, gjëra të bukura shumë, por praktikisht asgjë e arritur me meritën e tyre personale.

Gjesti i mbulimit të statujës duhet dënuar, por edhe duhet përkrahur. Si popull kemi një përqasje tejet histerike dhe hipokrite ndaj njëri-tjetrit. Është fakt, është diçka e njohur botërisht, kur 1 miliardë e gjysmë myslimanë falen drejt Mekës, mbi kokat e tyre nuk duhet të ketë asnjë lloj simboli, statuje apo hajmalie. Vetë profeti i tyre nuk e ka një imazh, Zoti jo e jo. Kjo sepsepër këta njerëz idhujtaria e lidhur me sende apo imazhe është e gabuar. Statuja e Skënderbeut është shumë e rëndë për t’u transportuar në perëndim, ndaj e lanë aty ku e ka vendin dhe thjesht vunë disa ekrane para, për t’i zënë sytë vetes, jo heroit që qëndron sovran mbi shesh, statik, me fytyrë nga perëndimi. Mbi të gjitha duhet thënë që ky gjest nuk erdhi rastësisht, e provokoi dyshja fantastike, risia më e re e tregut mediatik shqiptar: fanatikët & të moderuarit e rrjeteve sociale.

Me rënien e regjimit komunist, për gati tre dekada myslimanët shqiptarë nuk e kanë patur hapësirën e nevojshme për t’iu fshehur syrit të tolerancës sonë. Asnjë xhami në vendin tonë nuk ka patur kapacitet për të mundësuar faljen e namazit dhe ceremonitë publike të festave islame. Në fillim për shkak të kushteve dhe më pas bashkë me dëshirën për të treguar prezencë, besimtarët myslimanë janë falur kryesisht në Sheshin Skënderbej. Kjo ceremoni publike u kthye në traditë, duke u përkulur drejt Lindjes, karshi statujës të Heroit Kombëtar. Statuja e Skënderbeut nuk i shqetësonte besimtarët, deri kur dyshja fantastike vendosi t’i denigronte dhe t’i tallte publiksiht duke shpërndarë në rrjet fotot e “qindra muslimanëve që i gjunjëzoheshin” heroit. Në kësisoj rastesh përbuzieje publike, një njeri i shëndoshë nga trutë, në ditën e tij më të shenjt, merr masa dhe vendos një perde mes tij dhe përbuzjes, me shpresë se mos i shpëton syrit grabitqar që shpërdoron simbolet dhe trashgiminë e kombit për pak sensacion. Është e kotë, në luftë me injorancën fiton kush e ka kthyer në mjeshtëri dhe zanat.

Po sikur ta mbulonim më shpesh?
Duket fëminore, provokuese dhe e pavend, por po sikur t’i mbulonim më shpesh simbolet kombëtare? A thua do të kthehet turra e druve në shesh? Me shumë mundësi, sepse incidentet e turpshme të së premtes e përshfaqën islamofobinë që kemi kultivuar në bërthamën e shoqërisë tonë, e cila pretendon se i përket perëndimit. Në fakt, nga mënyra se si u reagua ndaj perdes të “Kurban Bajramit”, duket sikur utopia totalitare e Realizmit Socialist për një Shqipëri ateiste (me çdo kusht) ka lënë pas skorjet e veta. Nuk vrasin më shumë rrënojat e kishave dhe të xhamive qindravjeçare, por dëshira jonë për të shkatërruar gjithçka ndryshe, që nuk i përket dogmave tona standarde. Keqpërdorimi, ose më sakt shfrytëzimi i simboleve kombëtare për të nxitur konflikte shoqërore në një Shqipëri të kapur për gryke nga injoranca dhe varfëria, mbetet një gjest çakalloz. Pastaj, lind pyetja: pse nuk u përdor amaneti i Skënderbeut për të mbrojtur pyjet nga zjarri, ujin nga helmi, ajrin nga kanceri dhe tokën nga betonieret? Mos ndoshta duhet ta mbulojmë më shpesh dhe t’ia kursejmë hipokrizinë?

Perëndimi fatkeqësisht po bie vazhdimisht pre e fanatizmave nacionaliste dhe fetare. Të parat kërcënojnë institucionet, minojnë demokracinë dhe marrin vende në parlament, duke përdorur aktet e dhunshme të ekstremistëve. Është kthyer në një rreth vicioz, nga i cili shpëton vetëm duke dalë. Thjesht fare. Hidhni një sy burimeve të informacionit përtej Adriatikut e kuptoni që mungesa e tolerancës dhe masat ekstreme ndaj grupeve të margjinalizuara janë kthyer në çështje të sigurisë kombëtare, me pasoja katastrofike. Ndjenja e sigurisë po zhduket, duke i lënë vend cënimit të të drejtave personale dhe kufizimit të lëvizjes së lirisë. Por njëkohësisht shumë vende po rezistojnë dhe po i bëjnë bllokadë çakejve, duke shpërndarë informacion të pavarur dhe duke i mbajtur qytetarët larg incidenteve të fabrikuara.

Po të lexonim dhe të citonim më pak autorë best seller-ash, që shiten rëndom nëpër aeroporte, ndoshta do të kishim kohë që të bindeshim se fanatizmi nuk njeh fe, kombe apo simbole. Godet aty ku gjen terren. Edhe terrorizmi nuk është eksluzivitet i ndonjë grupimi të caktuar fetar apo politik. Është një metodologji primitive e cila godet aty ku sheh potencial për të përçarë dhe më pas për të sunduar. Njerëzimi është regjur aq shumë me të tilla makabritete sa e ka kuptuar që aktet terroriste nuk janë thjesht bomba njerëzish pa bole, por edhe shashka mediatike të hedhura në pazar nga “një xhirafë me rroba banje dhe majmuni simpatik”. Deri ditën e “Kurban Bajramit” vendi ynë konsiderohej imun ndaj çfarëdolloj sulmi terrorist. Gjë që supozohej të na bënte të ndiheshim krenarë. Nga mënyra e ashpër se si u reagua ndaj imazheve që shisnin një perde si të ishte burka, duhet të kuptojmë që edhe peshku nuk i bie kaq kollaj karremit.

Shënim
E pranoj, edhe mua shpesh më ka dhënë bezdi dëshira e myslimanëve për të treguar prezencë masive në sheshin kryesor të të gjithë shqiptarëve. Pa hyrë në detaje, nuk dua të diskutoj e meritojnë apo jo edhe ata lirinë e shprehjes, në fakt më bën kurioz për të ardhmen zgjidhja që është gjetur. Në mes të Tiranës po ndërtohet një xhami gjigande, e aftë të mbajë në barkun e saj të gjithë besimtarët, pa diskriminuar asnjërin. Shumë shpejt, do shpëtojnë të gjithë (sidomos fanatikët dhe të moderuarit) nga imazhi i mijëra besimtarëve që falen përballë Skënderbeut. Shumë shpejt do t’i fshihen syrit tonë dhe do kemi pafund arsye për të spekuluar, sidomos kur bëhet fjalë për një xhami ku tullën e parë e ka vendosur shembulli më i përkryer i islamit politik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb