TIRANË

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj e shikon si një test të madh për një kryeministër dhe një qeveri rënien e dy fatkeqësive për vendin, siç ishte tërmeti dhe pandemia. I ftuar në “Real Story” në News24, Ahmetaj tha se as në ëndrrën më të keqe kryeministri Edi Rama nuk do mundte t’i bënte bashkë këto fatkeqësi nëse dikush do e kishte pyetur 5 vite më parë.

“Çdo lloj qeverie që merr përgjegjësitë për drejtimin e vendit… po ta pyeste dikush kryeministrin Rama përpara 5 vitesh t’i thoshte ma përshkruaj ëndrrën tënde më të keqe për vendin dhe sfidën më të madhe për ta përballuar, nuk do mundte t’i bënte dot bashkë dhe në ëndrrën e tij më të keqe të dyja këto fatkeqësi që rënduan në kurrizin e Shqipërisë.
Përtej çdo debati, një test i madh për një kryeministër, një test i madh për një qeveri dhe një test i madh për shpirtin e maxhorancës, përtej politikës.

Unë jam pjesë e një ekipi që është në krye të punëve administrative dhe politike, qoftë për njërën, qoftë për tjetrën, një ekip i kryesuar nga kryeministri. Puna për rindërtimin dhe kontributi brenda atij ekipi për punën, për menaxhimin e pandemisë, sidomos për mbështetjen financiare, sepse kryeministri dhe Ogerta në pjesën e shëndetësisë kanë bërë një punë të përditshme kolosale, fantastike. Është një nga punët më të rëndësishme, më emocionale të jetës sime. Në vite kur të jem me veten apo me ambientet e ngushta familjare unë do t’i referohem si një nga sfidat më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës sime”, deklaroi Ahmetaj.

Sa i përket rikthimit në kabinet dhe detyrës së rëndësishme, ministri Ahmetaj tha se është ndihmës i kryeministrit dhe se arsyet i di ai.

“Unë jam rikthyer në kabinet si ndihmës i kryeministrit, pavarësisht se titujt janë të ndryshëm. Kthimin, arsyet i di vetë kryeministri pse, por mua më vjen mirë dhe jam profesionalisht dhe politikisht, pozitivisht i ngacmuar që më dha mua mundësinë, testin, provën dhe besimin që të merresha me rindërtimin dhe më pas me pjesën e menaxhimit financiar anti-covid. Arsyet i di kryeministri”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb