Deputeti i PS, Erion Braçe, në komisionin e ekonomisë ku po diskutohet për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2022, u shpreh se njësitë zbatuese nuk kanë bërë si duhet detyrën.

Ai tha se të shpenzosh 146 miliardë lekë, “vetëm në një muaj vetëm disiplinë fiskale nuk është”. Braçe tha se në këtë pikë, “po të doni e kthej dhe personale”.

Ai u shpreh se “për shpirt” nuk e voton buxhetin, pasi siç tha ai e ka deklaruar edhe në shtator se nuk do të arrijnë dot që të realizojnë dot shpenzimet.

“Ua thashë edhe në dhjetor, edhe 6 ditë para se të mbyllej viti”, tha ai.

“Çfarë kanë bërë njësitë zbatuese të buxhetit deri në 30 nëntor? Të shpenzosh 146 miliardë lekë vetëm në një muaj vetëm disiplinë fiskale nuk është. Këtu po të doni e kthej dhe personale.

Në dy aktet e fundit normative kam kërkuar vetëm 1 miliardë lekë. Sot deficitin nuk do ta realizojmë në datë 26 për 13 miliardë lekë. U kam kërkuar 1/12 e kësaj që nuk u realizua. Nuk ua kërkova për vete dhe as për kolegët e mi. Ua kërkova për të përmbushur mbështetjen buxhetore për bujqit.

Sot që flasim 1/3 e tyre nuk e morën naftën falas. Ata kanë mbjellë grurë me naftë 2400 lekë. Të paguhen të gjithë punonjësit e shtetit dhe vetëm ata që prodhojnë ushqim për këtë vend, të mos marrin as atë që u kishim premtuar në fillim të vitit?

Për shpirt nuk e votoj. Iu thashë që në shtator që nuk i realizoni dot shpenzimet, ua thashë edhe në dhjetor, edhe 6 ditë para se të mbyllej viti.

Pikërisht se nuk do të ndodhte kjo, u bë ky akt. Po për çfarë duhet më deputeti, kur nuk e dëgjon askush? Kemi edhe problemin në programim, kemi edhe problemin e madh të moszbatimit të buxhetit”, tha Braçe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb