Të tjera abuzime zbardhen nga vendimi i KPK për prokurorin Arjan Ndoji. “BalkanWeb” sjell një tjetër pjesë të vendimit, ku tregohet se si prokurori Ndoji ka pushuar çështjen për një ndërtesë shumëkatëshe në pronësi të shtetasit Enver Shaba, ku palë ishte dhe vajza e këtij të fundit, me të cilin prokurori kishte miqësi dhe kishin udhëtuar disa herë jashtë vendit bashkë.

Në sqarimet e tij, prokurori Ndoji ka mohuar të ketë lidhje të afërta me biznesmenin Enver Shaba, duke thënë madje se nuk e njihte vajzën e tij, që ishte e përshirë në çështjen e ndërtesës.

“Sa i takon pretendimit se me shtetasin E. Sh. nuk ka njohje të afërta, Komisioni çmon se përkundër sa pretendon subjekti, udhëtimet në dy raste të këtij shtetasi me subjektin në vitet 2013 dhe 2015, si dhe fakti që ata kanë drekuar së bashku një ditë përpara ngjarjes së nëntorit të vitit 2019, tregojnë marrëdhënie të afërta dhe në vazhdimësi të tyre”, thuhet në vendimin e KPK.

Më tej, pas gjithë sqarimit që KPK jep për këtë çështje, ku thekson edhe faktin se Arjan Ndoji kishte drektuar me Shabën pak para atentatit te mbikalimi i Shkozetit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardh edhe një bisedë me shkrim dore të Ndojit drejtuar drejtueses së Prokurorisë së Rrethit Durrës.

“Në fund të këtij udhëzimi është shkruar me shkrim dore nga prokurori Arian Ndoja dhe nënshkruar prej tij, si vijon: “Respekto ligjin. Thjesht nënshkruaj shkresën. Punën time e vlerëson gjykata jo ju. Po të paralajmëroj se do të të bëj kallëzim penal apo sepse po shkel ligjin. Arian Ndoja. Datë 30.9.2019””, thuhet më tej në vendimin e KPK, e cila e përmbyll këtë pjesë me argumentin se “Në përfundim, Komisioni çmoi se mangësitë profesionale të evidentuara në trajtimin e çështjes në ngarkim të shtetases Z. Sh., ndërthurur me veprimet e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në çështjen në ngarkim të kësaj shtetaseje dhe babait të saj E. Sh., cenojnë etikën e prokurorit dhe besimin e publikut si pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb