TIRANË

Enkelejda Hoxha, gjyqtarja e Krujës e arrestuar së fundmi nga SPAK nën dyshimet për korrupsion, pranoi para avokatit se ka gabuar në lirimin me kusht të ish të dënuarit për vrasje Hekuran Billa, i cili u ekzekutua majin e 2020.

Avokati tha se magjistratja pranon se nuk ka përllogaritur saktë kohën e dënimit që Billa ka vuajtur në Britaninë e Madhe për vrasjen e Prelë Markut dhe gabimi I dytë është aplikimi i amnistisë 1 vjecare për të.

Por, këto mëkate të gjyqtares –  theksoi avokati  – nuk mund të cojnë në shkarkimin e saj, ndaj i propozoi Artur Metanit të ILD-së një masë më të lehtë disiplinore për magjistraten.

Inspektori i Lartë të Drejtësissë e kundërshtoi këtë marrëveshje dhe theksoi se gjyqtarja dhe avokati kanë patur kohën për ta bërë një gjë të tillë, gjatë procesit të hetimit

Metani kundërshtoi edhe kërkesën e avokatit për thirrje te dëshmitarëve, konkretisht zyrtarëve të burgut të Fushë Krujës, pasi sikurse theksoi cdo shkelje e gjyqtares është verifikuar gjatë procesit të hetimit që zgjati muaj me radhë.

Shkarkimi i Enlekejda Hoxhës është propozuar për shkelje të rënda të ligjit dhe veprime që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit, për lirimin me kusht të Hekuran Billës.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së ILD-së për gjyqtaren, nisi me një orë vonesë, për shkak të mungesës së avokatit, cka bëri që anëtarët e qeverisë së gjyqësorit ta konsideronin si një përpjekje të përsëritur të saj për ta zvarritur procesin.

Gjyqtarja e Krujës u vu në pranga bashkë me avokatin Aldo Tabaku dhe 8 persona të tjera, pasi ka dyshime se merrte para dhe firmoste uljen e dënimit për të burgosurit në Fushë Krujë. Emri i saj ishte i shumë anatemuar, përderisa me firmën e saj kishin fituar lirinë shumë bosë të krimit. për fatin e magjistrates, qeveria e gjyqësorit do të vendosë më 4 mars.

PJESË NGA DISKUTIMI:
Maksim Qoku
: Konfirmohet nga stafi që nuk u bë i mundur komunikimi me avokatin pra jemi para fatit të mosprezencës së përfaqësuesit të magjistrates

Brikena Ukperaj:
në këtë situatë ropozoj që 116 pika 2 seanca të shktyhet për shkak të mosprezencës…pa shkaqe të përligjura…përfaqësuesi i zgjedhur të paralajmërohet në rast përsëritje për dënim me gjobë sipas ligjit deri në 100 mijë lek…propozoj të mundësohet lidhja online me magjsitarten

Artur Metani:
Jam dakord me shtyrjen siç u propozua nga anëtarja e Këshillit. Por të shtyhet një ose maksimumi 2 ditë

Dritan Hallunaj: Po tentohet zvarritja. E njëjta gjë edhe e mbrojtësit që seancën e kaluar u paraqit me vonesë. Në kushtet kur magjistratja nuk është paraqitur, nuk dëshiron të paraqitet jam dakord të mundësohet një lidhje online nga vendi ku ajo ndodhet. Pra duhet të gjejmë mekanizmin që ta zhbllokojmë

SHKELJET E HOXHËS SIPAS KREUT TË ILD-SË
Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit displinor rezulton se nga ana e magjistrates Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me:
-Mospërmbushjen e pajustifikuar të funksioneve gjatë gjykimit
-Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin
-Veprime dhe sjellje të magjistratit që ka sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe në mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.
-Mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal në dhënien e vendimit
-Nxjerrja e akteve të paarsyetuara, në të gjitha ato raste kur ligji kërkon nxjerrjen e aktit në formë të arsyetuar.
Sipas Metanit në analizë të kriterit “shkalla e fajësisë dhe motivi” në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor paraprakisht vlerësohet se:
-veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates në çështjet objekt hetimi, nuk janë kryer në kuadër të paaftësisë së saj profesionale, por si rezultat i një veprimi të drejtpërdrejt dhe të vullnetshëm nga ana e saj;
-Nuk janë respektuar dispozitat penale me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv, ndalues dhe me një përmbajtje të drejtpërdrejtë dhe lehtësisht të kuptueshme për lirimin e të dënuarit, ku përvoja e gjatë profesionale në detyrë e magjistrates e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita;

-Këto veprime/mosveprime të saj janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar në 5 procese gjyqësore me të njëjtin kërkues H.B. dhe në 1 proces tjetër me kërkues I.P.
Në këto kushte, arrihet në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha me “dashje direkte”.

Sjellja në vijimësi e magjistrates nën hetim Enkeleida Hoxha mbi kërkesat e të dënuarit H.B duke shmangur pa shkak ligjor gjyqtarët e tjerë nga gjykimi i kërkesave të tij, pranimi i 5 kërkesave në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje flagrante të tij, duke sjellë edhe lirimin e të dënuarit H.B nga burgimi i cili nga një vendim fillestar me burgim të përjetshëm nga autoriteti i huaj gjyqësor, pas njohjes së tij me 25 vite burgim, përfundoi duke vuajtur në shtetin shqiptar vetëm 3 vite burgim në një kohë që pas dhënies së vendimit të njohjes nr. 1016/2016, i kishin mbetur për të vuajtur edhe 16 vite 4 muaj referuar urdhrit të ekzekutimit të prokurorit, provohet mungesën e kriterit objektiv të paanshmërisë në gjykim si dhe diskretiton rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit si brenda vendit ashtu edhe në marrëdhënie me autoritetet gjyqësore të huaja, vendimet e të cilave njihen dhe ekzekutohen në shtetin shqiptar.

Për sa më sipër, kërkojmë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor dhe në mbështetje të nenit 105, pika 1, shkronja “dh”; nenit 111, pika 1; dhe nenit 146, pika 2, shkronja “a” , të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të vendosë: “Pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

SHKARKIMI I GJYQTARES
Kujtojmë se gjyqtarja u pezullua nga KLGJ pas arrestimit me urdhër të SPAK. Gjyqtarja Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt përfitimeve personale.

Në fakt gjyqtarja nuk ishte e vetmja, pasi bashkë me të u arrestuan dhe 9 persona të tjerë teksa rol kryesor në skemën korruptive kishin sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb