Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka deklaruar sot se policët të cilët janë rrëmbyer nga forcat serbe, po keqtrajtohen.

Shefi i stafit në këtë dikaster, Sharr Jakupi, ka thënë se të privuar nga ushqimi dhe uji, policët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor nga autoritetet serbe.

“Raporte thellësisht shqetësuese në lidhje me trajtimin e tmerrshëm të tre policëve tanë të rrëmbyer nga Republika e Kosovës, aktualisht të ndaluar në Kralevë. Pavarësisht se u është zgjatur paraburgimi për 30 ditë me akuzën për ‘posedim të paautorizuar të armëve’, krim i vërtetë janë kushtet e turpshme me të cilat po përballen.

Të privuar nga ushqimi dhe uji, zyrtarët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor”, ka shkruar ai në Twitter, duke shtuar se njëri prej policëve “që ka nevojë për kujdes mjekësor, është lënë pas dore, duke iu dhënë vetëm një injeksion që nga rrëmbimi”.

Jakupi është ankuar po ashtu se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka alarmuar autoritetet serbe dhe komunitetit ndërkombëtar për nevojën për trajtim mjekësor, por vetëm “është injoruar tërësisht nga autoritetet serbe”.

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë me zë të lartë këto mizori dhe t’i bëjë presion Serbisë që të lirojë menjëherë policët tanë. Heshtja dhe mosveprimi i barabartë me bashkëfajësi”, ka shkruar mes tjerash ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb